Opinione Trekëndëshi që mban peng miqësinë mes dy popujve

Trekëndëshi që mban peng miqësinë mes dy popujve

Nga Ervin Fetahu

Sikur i mbërthyer prej hipnozës, sikur i tërhequr prej fushës magnetike, ky “TREKENDESH” rezonues mban emrin ÇAMËRI.

Shpeshherë më zhyt në mendime fakti i penalizimit dhe mbajtjes larg të një popullsie prej truallit të saj stërgjyshor nuk është thjesht një rastësi apo incident historik…

Mua më pëlqejnë shumë figurat gjeometrike, dhe jo me kot formimi i këtij trekëndëshi apo treangoli imagjinar po aq sa dhe real, nuk mund të jetë rastësor. Në shfletimet dhe hulumtimet e mia kam hasur mbi 200-të autorë dhe tituj librash që flasin e përmendin këtë rajon te Epirit…

misionarë e diplomat të gjitha kohërave, mahniten tek tregojnë për bukuritë dhe vitalitetin e kësaj treve, bregdeti që laget në gjithë gjatësinë e tij nga deti Jon, Korfuzi dhe ishujt satelit hedhin pa u lodhur vështrimin e tyre të mprehtë nga ky bregdet magjepsës.

Thesprotia (Çamëria) në konceptin e saj te gjerë, ishte djepi i kulturës pellazgo-ilire, burim inspirimi për botën greko-latine, qendër dhe pikë nevralgjike e shpërndarjes së qytetërimeve e civilizimeve në pellgun e Mesdheut.

E pra sot zgjidhja e këtij problemi mbahet peng si asnjëherë tjetër nga politika greke, krijohet precedenti ku dy popujt tanë të ngelen peng i kësaj politike inekzistente që mohon çdo problem, me keqardhje e them se sërish viktimat janë shqiptarët, pra çamët, banorët autoktonë të këtij rajoni, ku shteti fqinj Greqia u mohon riatdhesimin në vatrat e tyre.

Greqia,inkurajuesja dhe mbështetja jonë për në familjen e madhe Europiane, të jetë vallë kaq miope e lakmitare sa të mohojë një pjesë të konsiderueshme të shtetasve të saj, vetëm e vetëm se ata janë të një kombësie apo të një religjioni tjetër…?!

Sigurisht, ka më shumë se një shkak, po mos vallë zona e Çamërisë ndodhet në një pozicion tepër strategjik e të veçantë, me pasuri tokësore e ujore si rrallëkush tjetër…??

A mos ndoshta Çamëria është pika me perëndimore kontinentale e Greqisë, dhe aty ndodhet porti i tretë më i madh i Greqisë nga ku do kalojmë shumë tubacione hidrokarburesh, e prej aty nis në formë gjarpëronjëse autostrada më e gjatë e Greqisë drejt Stambollit, e kështu kjo rrugë duket sikur përngjan me “vijën e mëndafshtë”, pra me pak fjale çdo perandori nga ato te kaluarat pse jo edhe te sotmet ka përdorur dhe përdor ende pikërisht këto rruge e korridore të kahmoçme…!

Mirëpo këto rruge kalojnë nëpër pronat shqiptarëve të Çamërisë, e sigurisht që ata do ndihen zot të asaj çka u takon prej hises tyre legale.

Kuptohet që kjo parajsë do e kishte një çmim dhe kosto të hidhur, pronat dhe zotërimet e çamëve ishin aq shumë te vlefshme saqë fisniket dhe t’zotët e kësaj toke u vunë në shënjestrën e xhelozisë greke, identik ashtu sikundër u vu edhe Troja e lashtë në shënjestrën Helene.

Begatia dhe pasuritë galopante ngacmuan smirën e balozëve të shtetit grek, e kështu ndërmorën fushata të njëpasnjëshme dëbimi, spastrimi dhe genocidi kundër popullatës shqiptare të Çamërisë.

S’ka sesi kjo popullsi të mos te rikthehet në këto vise që i ka zili çdo vizitor, ku Joni i freskon me ujin e tij te kaltër, kurora e ullinjve shekullorë mbulon çdo kodër, thua se Çamëria lundron mes kaltërsive të detit dhe gjelbërimit të natyrës.

As me jepni të drejtë të ëndërroj për këto troje të lashta që i kemi larë me gjak e me lot…?!

Për më tepër vlen të theksoj se zvarritja, injorimi dhe mos zgjidhja e kësaj tragjedia, do jetë shkak pengese dhe miqësie me fqinjin tonë jugor, sepse ne nuk mundemi të harrojmë varret e të parëve, gurët e kalldrëmit, krojet, themelet dhe muret e shtëpive që presin t’zon…

Ne nuk duam asgjë veç tokës dhe ujit që na ka falë Zoti tash e sa mot…

trojet, kullotat, shtëpitë tona janë atje, të lëshuara me qera ose dhënë në përdorim popullsive nomade që endeshin maleve dhe stepave të Pindit.

Çfarë ironie…!

Argatët gëzojnë dhe trashëgojnë në mënyrë të pandershme pronat e të zotërve. Por ata e kanë të qartë se shume shpejt e drejta do shkojë në vendin e vet.

Kurrë nuk do të ketë raporte te përkryera dhe të plotësuara mes Shqipërisë dhe Greqisë nëse kjo barrë e rëndë që mban Greqia nuk u kthehet fisnikëve tradicional …

Çdo ditë që vjen, çdo mëngjes që dielli lind, na jep shpresë që ne do t’ ia dalim të çojmë në vend ëndrrën tonë për tu kthyer në Çamëri. Aq sa duket e vështirë aq është edhe e mundur njëkohësisht, kurrë nuk do të reshtim së kërkuari atë që vet Zoti na e fali…!