Kryesore Tritan Kalo apel të rinjve: Po rrezikoni shëndetin nëpër klube, ka shtrime...

Tritan Kalo apel të rinjve: Po rrezikoni shëndetin nëpër klube, ka shtrime dhe vdekje në mesin tuaj

Pandemia globale e COVID-19 për fat të keq vijon përhapjen e shpejtë edhe në vendin tonë. Autoritetet shtetërore, por edhe ekspertët shëndetësorë kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, por me sa duket ky apel nuk po pritet pozitivisht nga qytetarët, sidomos nga radhët e grup-moshave të reja.

Mjeku infeksionist,Tritan Kalo, e ka nisur këtë të diel me një mesazh drejtuar të rinjve, ku bën apel për kujdes pasi COVID-19 sipas tij po lë pasoja edhe në këtë kategori të shoqërisë shqiptare.

Mjeku Kalo thotë se, të rinjtë duhet të rrinë më pak kafeneve e klubeve, ndërsa pjesën tjetër të ditës, duhet ta përmbushin duke u kujdesur për natyrën dhe mjedisin tonë të përbashkët.

Ai thekson se bluzat e bardha janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë të pamundurën për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve të infektuar me COVID-19.

Më tej doktori infeksionist nënvizon faktin se duke respektuar rregullat strikte, shanset e përhapjes së COVID-19 në popullatë bëhen gjithnjë e më të vogla.

Mesazhi i plotë i mjekut Tritan Kalo:

“Kohë kovidiane….2.08.2020….Vera dhe temperaturat e saja përvëluese po kompensohen me daljet në vendet me malore të pyllëzuara me pisha e jo vetëm, ku Ozoni i çliruar prej tyre është një faktor ndihmës i yni në përballjen me sfidën Sars-Cov2/Covid-19…..Në 7 vite këto pisha të mbjella në oborrin e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT/Covid-1 kanë hedhur shtat….Ta heqim sëpatën apo nagaçen nga brezi ynë, dhe në vend që ta shpyllëzojmë këtë vend nga pishat e tija si në bregdet dhe në mal, le të rifitojmë kulturën e rimbjelljes së tyre.

Të rinjtë e të rejat tona le të shpenzojnë më pak kohë në bare e klube dhe të miqësohen edhe me shumë me natyrën, duke e rigjallëruar atë me mbjelljet e këtij druri dobiprurës….Nëse një i ri mbjell sot 2-3 pisha në 20- 25 vitet e ardhshme i sigurojnë brezit më të ri, një jetë në një mjedis më cilësor e më pak të ndotur, sikundër brezat tanë menduan për ta duke u mbjellë miliona e miliona fidanë përgjatë muajit dhjetor të çdo viti kudo nëpër Atdhe. Më pak grumbullime në plazhe e mjedise dëfrimi ju më të rinjtë e këtij vendi.

Rrezikoni shëndetin tuaj, por jo pak edhe atë të prindërve, të afërmve dhe miqve tuaj. Jeta është e pakthimtë, e paçmimtë dhe shumë e vlertë për ju dhe ardhmërinë e trojeve Arbërore. Kemi më shumë shtrime të të rinjve në mjediset tona, por edhe jo pak humbje jetësh në mesin e tyre. Ne jemi në punë të përkushtuar për ruajtjen dhe përkujdesin ndaj shëndetit tuaj, por edhe personeli i Shëndetësisë Publike dhe jo vetëm e ka të domosdoshme rigjenerimin e energjive dhe pushimet, sepse shumica janë prindër dhe duhet të kujdesen edhe për pushimet e shëndetin e fëmijëve të tyre dhe vetveten.….Besimi dhe mirëkuptimi reciprok e bën edhe më të mundshme, përballje me sfidën ndaj Sars-C0v2/Covid-19, me sa më pak humbje jetësh njerëzore dhe lëndimesh jo të pakta që mundet të krijojë kjo sëmundje në organizmat tanë. Together forever”.