Aktualitet Tritol shtyllës së tensionit në Fushë Krujë, akuza mes PS-PD

Tritol shtyllës së tensionit në Fushë Krujë, akuza mes PS-PD

Një shtyllë e tensionit të lartë është hedhur në erë në fshatin Krastë në Fushë Krujë, e cila shërbente për furnizimin e linjave Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Prizren, duke u dëmtuar pjesërisht.

Lajmin e para e ka dhënë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila në mënyrë indirekte ka sulmuar Partinë Demokratike, duke e akuzuar për hedhjen në erë të objektit në zonën e Fushë Krujës.

Sipas Spiropalit, linjës së transmetimit 400 KW iu vendos tritoli nga ata që “vesi ju del me shpirtin”, duke thënë se vendi prapa nuk do të kthehet edhe pas këtyre “sulmeve”.

“Vesi del me shpirtin! Goditet me tritol linja e transmetimit 400 KW në Laç dhe pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit! E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s’e ktheni”, shkruan ajo në “Twitter”.

Edhe kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, që në një postim në Facebook ia faturoi përgjegjësinë e këtij akti kreut të PD-së Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por, PD ka hedhur poshtë akuzat duke shprehur keqardhje për këtë shpifje sipas saj, të kryeministrit Edi Rama dhe znj. Spiropali.

“Një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit. Nëse ai nuk ka dorë në këtë propagandë helmuese, Edi Rama, i cili ka kontroll të plotë mbi policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë, duhet të zbulojë pa vonesë ata që kanë urdhëruar dhe kanë vendosur tritolin në shtyllën e tensionit të lartë. PD dënon me forcë këto shpifje djallëzore të nivelit të Griseldës, që bëhen për të nxitur urrejtjen dhe për të rritur konfliktin në vend”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike thotë se në PS, “ka personalitete që mund ta ndihmojnë partinë e tyre në këtë ditë të hallit ku ka rënë, duke kontribuar”.

Ndërkohë Ministria e Brendshme e ka konsideruar një “akt terrorist” vënien e tritolit te njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë 400 KW e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren.

Ministria bën me dije sa kanë nisur hetimet për vënien përpara drejtësisë të personave përgjegjës. Më tej nënvizohet se shtylla rrezikoi të shembej, dhe i gjithë vendi mund të ishte pa energji elektrike.

Po ashtu thuhet se po punohet edhe për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Sipas policisë pas hetimeve u konstatua se shtylla ishte dëmtuar me lëndë eksplozive.

“Sot në mesditë, punonjësit e OST, pranë fshatit Krastë, Thumanë, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KW), Nr. 65, e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive”, thuhet në njoftimin e policisë.