Aktualitet Tritoli në Fushë Krujë, dyqanit të vëllait të Enver Stafukës

Tritoli në Fushë Krujë, dyqanit të vëllait të Enver Stafukës

Enver dhe Naim Stafuka dhe vendi i ngjarjes

Një shpërthim eksplozivi u shënua mbrëmjen e së premtes në Fushë Krujë. Një sasi tritoli është vënë në derën e dyqanit të Naim Stafukës. Ai është vëllai i Enver Stafukës, një person i zhdukur në rrethana misterioze prej vitit 2015.

Lënda plasëse është vënë në derën e shkallëve të një objekti 3-katësh ku ka disa biznese. Vetë Naim Stafuka banon në katin e tretë të banesës së bashku me familjen. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.

Pak kohë më parë Naim Stafuka vendosi të flasë për zhdukjen e vëllait të tij. Ai tha se dyshonte që në rrëmbimin dhe zhdukjen e vëllait të jetë i përfshirë Durim Bami, i njohur si “i forti” i Niklës.

“Enveri ka qenë në kafen poshtë shtëpisë time. Ka ardhur aty me Durim Bamin, Gentjan Bejtjan, Ramazan Rrajën. Janë futur në kafe, aty kanë nejt njëfarë kohe, 20 minuta a 30 minuta, nuk e kam idenë fiks, por di se në orën 8 afërsisht është rrëmbyer.

Dikush e ka marrë në telefon, i ka thënë do vish për të më takuar, ka qenë në Kameras të Krujës, një njeri që quhet Ervis Alla, kjo sipas dëshmitarëve që kanë qenë në tavolinë. Aty ka dalë me shku te ky Ervisi, aty e kanë pritur rrëmbyesit” – tha Naim Stafuka që shtoi se “Ne dyshojmë tek të gjithë grupi që ka qenë me të kanë dijeni”.