Kryesore Trondit Aishe Haklaj: Fatmiri u tradhëtua nga bashkëshorti im, u ble me...

Trondit Aishe Haklaj: Fatmiri u tradhëtua nga bashkëshorti im, u ble me para nga armiqtë

Sot e kësaj dite vrasja e Fatmir Haklajt dhe Sami Kërrnajës është ende e pazbardhur nga instancat ligjzbatuese. Haklajt, as e prisnin që kjo të ndodhte pasi të gjitha ngjarjet paraardhëse ndaj familjes së tyre nuk kishin një emër, pavarësisht se ishin lënë shumë prova. Nga mënyra e ekzekutimit të Fatmirit, ishte e qartë se grupi i komandove kishte mbështetje edhe nga informatorë të zonës.

Kurrë më parë kundërshtarët nuk kishin guxuar ti afroheshin aq shumë Fatmirit sa mbrëmjen e ekzekutimit. Fatmir Haklaj kishte intuitë dhe zgjuarsi që të mos binte në pritë. Por kësaj here ai ishte tradhëtuar. Për herë të parë, ekskluzivisht, motra e tij Aishe Haklaj rrëfen se Fatmiri ishte tradhëtuar nga një anëtar i familjes së tij.

“Djali im në atë kohë ishte 8-vjeçar e tek luante me shokun e fëmijërisë me inicialet J.H. gjej një shumë të konsiderueshme parash brenda në banesë, në një pjesë të aneksuar dhe djali im vjen bashkë me ato paratë e mi paraqet mua e mi jep, thotë: “mama ja çfarë kam gjetur”, rrëfen Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Aishja fillon të bëjë lidhjen mes parave dhe vrasjes së vëllait. Dikush kishte dhënë informacion për vendndodhjen e Fatmirit në banesën e saj në Bujan, para se të shkonte drejt kullës së Mulosmanëve.

“Një javë të tërë i bëra hetuesi djalit që ishte vetëm 8 vjeç se dyshoja se dikush mund ta kishte gënjyer, vëllai ishte në banesën e time”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

E tronditur nga ajo që zbuloi, dhe me mendimin se i vëllai ishte tradhtuar nga brenda familjes, Aishja vendos të largojë paratë nga vendi ku ishin fshehur. Synimi i saj ishte të zbulonte se kush i kishte vendosur atje. Zbulimi, do të ishte shokues.

“I mora ato para, i vendosa në një vend të caktuar dhe vendosa të survejoj vendin ku ishin gjetur paratë. Pas disa ditësh pashë, ish-bashkëshortin, rrotull vendit ku djali kishte gjetur paratë. Mendova ta pyes çfarë kërkon, ai mu përgjigj se po kërkoj ca para. Mu duk se qielli më ra mbi kokë e mu duk vërtetë se vëllain tim e kishte tradhtuar motra e tij, ai u përgjigj se janë paratë e vëzhguesve socialist”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Ky moment, do të ishte një tronditje e fortë për familjen Haklaj, pasi dyshimet ishin se tradhtia ishte nga brenda. Sot e kësaj dite, e vërteta ka mbetur ende mister.

“Dyshimet se ish–bashkëshorti mund të kishte bashkëpunuar me persona të caktuar dhe dhënë informacione për vendndodhjen e vëllait tim Fatmirit u bënë bindje, sepse shuma e parave të gjetura në banesën time ishte e pakonceptueshme, ishte mjaft absurde dhe kjo është një enigmë mjaft e madhe që do ta kem për gjithë jetën”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve.

Provat e vrasjes së Fatmir Haklajt nuk u verifikuan asnjëherë

Në vendngjarje ku u vra Fatmir Haklaj u gjetën disa prova, të cilat mund të çonin në identifikimin e autorëve.

“Aty ishin gjetur një çantë, e cila mbante ushqim, të cilat i kishin përdorur gjatë ditës një karikator me fishekë, dhe një kapele me qimet e kokës së njërit prej atentatorëve”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

“Ne kush ishin kryesorët i dimë. Ka qenë Përparim Hyka, Medi Hoxha, Xhaferr Hoxha, Haki Hoxha që janë kryesorët që kanë marrë pjesë”, akuzon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Në vendngjarje u gjetën edhe një palë dylbi identike me ato që përdornin forcat speciale. Ishte e qartë se edhe këtë herë mes grupit të komandës kishte njerëz me uniformë shtetërore. Komisari i ndjerë Gani Malushi, bëri një raport të gjatë ku kishte edhe emra konkretë të dyshuarish.

Askush nuk u kujdes të zbulonte se kush i kishte tërhequr dylbitë nga reparti i forcave speciale dhe kujt i përkisnin qimet në kapelën e gjetur. Në vendngjarje janë gjetur edhe gëzhoja të armës që kishte shtënë në 5 Janar të vitit 1998 mbi Shkëlqim Haklajn. Pra, ishte e njëjta dorë atentatorësh.

Komisar Malushi, kërkoi nga eprorët e tij në Ministrinë e Rendit të verifikonin nëse dy efektivë të forcave speciale ndodheshin në repart atë ditë apo jo. Bëhej fjalë për Përparim Hykën dhe mikun e tij Anton Gjergji, ish-truproja i Fatos Nanos.

“Gani Malushi është përpjekur të hartojë një dosje me prova dhe me ato prova ka kërkuar edhe vendndodhjen e Përparim Hykës”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Malushi kishte siguruar disa informacione nga burimet e tij, por kurrë nuk pati mbështetje që provat të vlerësoheshin deri në fund. Ai kishte vërtetuar se dylbitë e gjetura në vendngjarje i përkisnin një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë. Shenjat e gishtave të personave nuk u zbuluan kurrë.

Provat që zbuloi komisar Malushi, i mori me vete në varr. Ai vetë do të ishte viktimë e një atentati në 6 Gusht të vitit 2003 në Durrës. Malushi u ekzekutua me breshëri kallashnikovi së bashku me shoferin e tij. Zyrtarisht u tha se ngjarja kishte objektiv shoferin e Malushit dhe shkaku ishte gjakmarrja.

Për vrasjen e dyfishtë vuan dënimin një person i quajtur Agim Pepa. Kurrë nuk u hetua pista që lidhej me detyrën. Malushi, ishte njeriu që kishte rrëmuar si askush për masakrën e Tropojës, duke zbuluar edhe emra konkretë personash të dyshuar.

“Gani Malushi ka tentuar të më takojë po atë ditë pas vdekjes së Fatmirit dhe e kishim lënë që më vonë kur të jem më mirë të komunikoj me atë njeri dhe e kam peng që nuk arrita sadopak të jap ato mendimet e mija”, rrëfen pengun Aishe Haklaj, motra e Haklajve.