Bota Trondit ministri gjerman: Në fund të dimrit, qytetarët do të jenë të...

Trondit ministri gjerman: Në fund të dimrit, qytetarët do të jenë të vaksinuar, shëruar ose do të kenë vdekur

“Pothuajse të gjithë gjermanët do të vaksinohen, kurohen ose do të vdesin deri në fund të dimrit”. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu drejtuar një thirrje dramatike qytetarëve që të vaksinohen.

Ai pranoi se disa e kishin përshkruar këtë pikëpamje si cinike. “Por është e vërtetë. Me variantin Delta shumë ngjitës, kjo është shumë e mundshme dhe kjo është arsyeja pse ne po rekomandojmë vaksinimin kaq urgjent”, shpjegoi Spahn.

Ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen, duke përfshirë edhe vaksinat përforcuese, nëse raundi i parë i vaksinimit ka ndodhur më shumë se gjashtë muaj më parë, për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të rënda.

Shifrat zyrtare treguan më shumë se 30 000 raste të reja të konfirmuara në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit, një rritje prej rreth 50%, krahasuar me një javë më parë. Spitalet kanë paralajmëruar se kapacitetet e ICU janë pothuajse të shteruara, me disa pacientë që duhet të transferohen në klinika të tjera larg.

Gjermania pret që Bashkimi Europian të miratojë vaksinat kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç në fund të javës, tha ai. Fëmijët e moshës shkollore kanë ndër normat më të larta të infeksionit në vend.

BE-ja do të fillojë dërgimin e vaksinave të përshtatura për fëmijët më të vegjël më 20 dhjetor, dhe Gjermania fillimisht do të marrë 2.4 milionë doza.