Aktualitet Trualli i TK në pronësi të bashkisë, reagon Aleanca për Teatrin: Do...

Trualli i TK në pronësi të bashkisë, reagon Aleanca për Teatrin: Do e çojmë çështjen tek ndërkombëtarët

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesja ligjore e Aleancës, Adriana Kalaja i ka bërë thirrje SPAK që të marrë masa urgjente dhe të vendosë drejtësi për shkeljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo thotë se nëse nuk do të marrë një përgjigje nga institucionet shqiptare, Aleanca do i drejtohet më tej instancave ndërkombëtare për të marrë drejtësi.

“Disa njerëz që drejtojnë këtë vend, kanë marrë peng institucionet dhe Shqipërinë. Unë nga dje sot, i kam bërë pyetje vetes nga më të ndryshmet, ajo që nuk i jap përgjigje është se kush do ta ndalë këtë katastrofë në sistemin e drejtësisë. Nëse nuk e keni harruar, kemi filluar të harrojmë veprat kriminale që po bën ky shtet. E ndalojmë dot, e ndalon dot një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Kush do ta ndalojë? Në emër të të gjithë Aleancës, i kërkoj SPAK marrjen e masave emergjente pasi vetëm SPAK duhet të vendosë drejtësi përsa kohë që institucionet nuk reagojnë. Nëse nuk kemi një reagim nga institucionet shqiptare, do i drejtohemi atyre ndërkombëtare. Ne do luftojmë dhe drejtësinë do e rivëmë. Do e ringremë aty ku ishte” – tha Kalaja.

Ndërsa aktori Edmond Budina ka hedhur akuza mbi qeverinë për shkeljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, këto akte bëhen vetëm nga shtete mafioze. Ai i bën thirrje Presidentit, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë që të reagojnë për këtë akt.

Një thirrje, Budina e ka dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilëve u thotë që të protestojnë kundër kësaj shkelje, madje edhe të japin dorëheqje nga posti i tyre.

“Sikundër e shikoni, mafia e ka zaptuar shtetin në mënyrën më skandaloze. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që shkelet me këmbë vetëm në një shtet mafioz ndodh. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, që të shkelet me këmbë gjykata Kushtetuese, vetëm një shtet fashist e bën. Gjërat nuk janë të rastësishme. Dje u mor ky vendim dhe në të njëjtën kohë, u bë një takim nga Yuri Kim me kryedemokratin Basha dhe kërkoi largimin e një deputeti, nëse keni fakte, çojeni në gjyq, nëse jo, mos bëni asgjë. Ambasadores i bën përshtypje largimi i një deputeti dhe nuk i bën përshtypje shkelja e një vendimi të gjykatës Kushtetuese.

Do shkojmë në të gjithë institucionet shqiptare. Nuk fitojmë asgjë përveç vendosjes të së drejtës. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos heshtin, duhet të ngriheni kundër kësaj kaste fashiste. Të shkelësh Gjykatën Kushtetuese, do të thotë që ke gjithçka në dorë. I bëj thirrje opozitës, presidentit që të reagojnë dhe të mos heshtin. Kam një thirrje të veçantë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të nderuar gjyqtarë, ju që morët një vendim shumë të drejtë, të bindur, a jeni akoma të bindur se ky shtet ju ka dhënë priftërinj për tu rruar mjekrën dhe a keni guxim të jepni dorëheqjen” – tha Budina.