Bota Trump acarohet me guvernatorët për protestat: Arrestoni ose do të dukeni si...

Trump acarohet me guvernatorët për protestat: Arrestoni ose do të dukeni si budallenj

Presidenti amerikan Donald Trump është tepër i nxehur nga protestat e dhunshme në dhjetëra shtete, u kërkoi guvernatorëve një kundërpërgjigje më të ashpër për të ruajtur ligjin e rendin publik.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë me anë të një video-konference tha se manifestuesit e dhunshëm duhet të shënjestrohen në mënyrë agresive për t’i dhënë fund trazirave.

Ju duhet të dominoni protestat ose do të dukeni si budallenj. Duhet të arrestoni qytetarë”, ishte urdhri i Trump nga Dhoma e Emergjencave në Shtëpinë e Bardhë.

Ai shprehu gjithashtu bindjen e tij se kjo dhunë po nxitet nga e majta radikale. “Kjo është një lëvizje, dhe nëse nuk e shuani do të bëhet shumë më keq”, theksoi Trump, duke iu përsëritur guvernatorëve se është përgjegjësia e tyre për të shuar trazirat.

Solidariteti, protesta në të gjithë botën për rastin në SHBA

Zemërimi kundër racizmit që po vlon në Shtetet e Bashkuara është shpërndarë në të gjithë botën. Gjatë fundjavës, mijëra demonstrues u mblodhën në qytete si Londra, Berlini dhe Auckland në shenjë solidariteti me amerikanët, që prej ditësh protestojnë kundër brutalitetit të policisë.

Në kryeqytetin britanik, qytetarët sfiduan masat e qeverisë kundër grumbullimit të turmave, ndërsa disa prej manifestuesve marshuan dhe pranë ambasadës së SHBA.

E njëjta situatë dhe në Gjermani, ku shumë prej pjesëmarrësve në protesta mbanin maska në të cilat shkruhej: “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë!”.

Në Danimarkë manifestuesit thërrisnin “pa drejtësi nuk ka paqe”, ndërsa pati edhe organizime pranë selisë diplomatike amerikane në Kopenhagen.

Të tilla protesta paqësore dhe simbolike u raportuan edhe nga Milano në Itali dhe qytete të ndryshme të Zelandës së Re e Kanadasë.