Bota Trump-Johnson: Pas Brexit, marrëveshje e madhe tregtare SHBA-Britani

Trump-Johnson: Pas Brexit, marrëveshje e madhe tregtare SHBA-Britani

Pas Brexit-it, Britaninë e pret një marrëveshje e madhe tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është premtimi që i bën Presidenti amerikan Donald Trump kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson. Gjatë një takimi të zhvilluar në vazhdën e samitit të G7-s në Biarritz të Francës, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Johnson ishte njeriu i duhur për ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Evropian.

“Ai nuk ka nevojë për këshilla. Është njeriu i duhur për të përmbushur Brexit-in. E kam thënë edhe herë të tjera, edhe pse kjo mund të mos i ketë pëlqyer liderëve të mëparshëm”, tha Trump.

“Ju jam shumë mirënjohës dhe po pres me padurim për të zhvilluar bisedime lidhur me marrëdhënien tonë të ardhshme tregtare”, u shpreh Johnson.

“Tani mund të nënshkruajmë një marrëveshje të madhe tregtare, më të madhen që ka ekzistuar deri më tani mes dy vendeve. Britania nuk e ka më zinxhirin rreth kyçit”, shtoi Trump.

Kryeministri i ri përballet me misionin delikat për të mbajtur në anën e tij aleatët evropianë, por në të njëjtën kohë duke mos e zemëruar Trumpin.