Bota Trump: Kemi arritur pikun, Kina na gënjeu

Trump: Kemi arritur pikun, Kina na gënjeu

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kaluar pikun e infeksioneve të reja me Covid-19 dhe paralajmëroi që shumë shpejt disa shtete do të rihapen. Në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se udhëzimet për rihapjen do të bëhen publike të enjten.

“Duam ta kthejmë vendin aty ku ishte”, tha Trump.

Megjithëse në SHBA shënohen mbi 640 mijë raste të konfirmuara dhe mbi 30 mijë viktima, Presidenti amerikan deklaroi se vendi e ka kaluar pikun.

“Informacionet sugjerojnë që në nivel kombëtar e kemi kaluar pikun e rasteve të reja. Me shpresën që kjo gjë do të vazhdojë dhe ne do të bëjmë progres”, tha Trump.

Presidenti amerikan i ktheu përgjigje edhe pyetjes së gazetarëve sepse SHBA-ja ka një numër të lartë të vdekurish nga Covid-19. Trump akuzoi vendet e tjera se kanë gënjyer për vdekshmërinë e tyre.

“I beson njeri numrat e këtyre vendeve”, tha Trump duke iu referuar Kinës.

Ai tha gjithashtu se SHBA-ja po shikon për disa raportime ende të paverifikuara se koronavirusi ka dalë nga një laborator në Wuhan dhe jo nga një treg kafshësh.

Mediat amerikane kanë raportuar se ambasada e SHBA-së në Pekin, rriti shqetësimet rreth sigurisë së dy laboratorëve në Wuhan. Megjithatë Gjenerali Mark Milley tha të martën se inteligjenca amerikane beson më shumë se virusi ka dalë në mënyrë natyrale.

Administrata Trump ka vendosur edhe një datë të mundshme për rihapjen e vendit, që do të jetë 1 Maj. Nga kjo datë ata shpresojnë që vendi t’i kthehet normalitetit.

Trump u shpreh se do të ketë probleme në shëndetin e njerëzve edhe nëse qëndrojnë të mbyllur, duke cituar shëndetin mendor, për shkak të krizës ekonomike.