Bota Trump kërcënon Erdogan: Të shkatërroj ekonominë nëse prek kurdët

Trump kërcënon Erdogan: Të shkatërroj ekonominë nëse prek kurdët

Teksa Turqia po përgatitet të nisë një operacion ushtarak në verilindje të Sirisë kundër forcave kurde, një kërcënim i hapur për Ankaranë vjen nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar Erdogan, se do t’i shkatërrojnë totalisht ekonominë, nëse ushtria turke “kalon kufijtë” në Siri.

“Siç e kam theksuar me forcë më parë, thjesht për ta përsëritur: Nëse Turqia bën diçka që unë, me mençurinë time të madhe dhe të pakrahasueshme, konsideroj të jetë përtej kufijve, unë do ta shkatërroj totalisht ekonominë e Turqisë (e kam bërë më parë!)”

Trump kërkoi që Turqia dhe Europa të mbikëqyrin luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre të kapura tashmë.

Ai tha se SHBA ka bërë deri më tani më tepër se mund të kishin pritur të gjithë, përfshirë çlirimin e 100 % të territorit që më parë kontrollohej nga Kalifati ISIS.

“Tani është koha për të tjerët në rajon, disa shtete shumë të pasura, të mbrojnë territorin e tyre”, tha Trump në postimin e tij në Twitter.

Dhe ashtu siç bëri vitin e kaluar, kur brenda nate me disa postime në rrjetet sociale, Trump shkaktoi “tërmet” në Lirën Turke, edhe këtë të hënë, postimet e tij bënë që monedha turke të humbë vlerë. Aktualisht një dollar amerikan këmbehet me 5. 83 lira. Sipas medias turke, shkak për zhvlerësimin e lirës janë bërë twittet e Trump dhe pritshmëria për një ndërhyrje ushtarake në Siri.