Bota Trump kërkon nga kompanitë farmaceutike përshpejtimin e vaksinës kundër koronavirusit

Trump kërkon nga kompanitë farmaceutike përshpejtimin e vaksinës kundër koronavirusit

Presidenti Donald Trump u takua me drejtuesit e lartë të 10 prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë dhe u kërkoi atyre që të shpejtojnë zhvillimin e vaksinave dhe të gjejnë një trajtim efektiv për koronavirusin, raporton VOA. Ndërkohë, numri i rasteve të infektimit dhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet.

“Kemi 43 raste të brendshme të koronavirusit, 48 raste të individëve që janë kthyer në Shtetet e Bashkuara. Nga rastet e brendshme, 29 nga 43 janë ose në Kaliforni, ose në shtetin e Uashingtonit”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Të hënën Presidenti Donald Trump u takua me drejtuesit e kompanive farmaceutike, dhe u kërkoi atyre që të shpejtojnë zhvillimin e vaksinës dhe të gjejnë trajtime për të kuruar të sëmurët nga virusi.

“Ka të ngjarë që terapitë të jenë të disponueshme përpara se të jetë gati një vaksinë, dhe ne do të përpiqemi të sjellim të gjitha trajtimet efektive në treg sa më shpejt të jetë e mundur”, tha presidenti.

Provat klinike mund të fillojnë që në prill, por do të duhet të paktën një vit për të zhvilluar një vaksinë të sigurt dhe efektive. Dhe ajo do të kushtonte shumë para.

“Ndoshta qeveria duhet të angazhohet të blejë një numër të caktuar dozash përpara se të bëhet financiarisht e arsyeshme që një kompani të vazhdojë dhe të krijojë një proces për prodhimin e vaksinës”, thotë William Schaffner me Universitetin Vanderbilt.

Presidenti Trump u zotua të zvogëlojë burokracinë për kompanitë që punojnë drejt një trajtimi, por nuk premtoi fonde federale.

“I njoh mirë kompanitë. Disa prej tyre janë aq të pasura saqë mendoj se një ditë do t’i japin hua qeverisë federale”.

Trump po shqyrton gjithashtu kufizime udhëtimi në më shumë vende, si dhe mbylljen e kufirit SHBA-Meksikë. Meqenëse shumica e rasteve brenda vendit nuk kanë bërë udhëtime, ekspertët vënë në dyshim lëvizjet e mundshme dhe përkrahin më shumë testime në vend.

“Ne në fakt kemi gjetur virus te njerëzit që nuk kanë akoma simptoma. Është e paqartë nëse ata njerëz do të vazhdojnë të shfaqin simptoma ose të vazhdojnë të infektojnë njerëz të tjerë”, thotë Jennifer Nuzzo me qendrën Johns Hopkins për Sigurinë e Shëndetit.

Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për dhënien e pajisjeve difektoze të testimit dhe fillimisht kufizimin e numrit të personave të testuar.

Koronavirusi ka infektuar afro 90,000 njerëz globalisht dhe ka vrarë më shumë se 3000.