Kryesore Trump kundër OBSH-së: SHBA-ja do të nxjerrë një raport për origjinën e...

Trump kundër OBSH-së: SHBA-ja do të nxjerrë një raport për origjinën e Covid-19

Nuk ndalet përplasja me 3 akse sa i përket origjinës së koronavirusit të ri. Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Kinës që të tregohet transparente lidhur me atë që di për prejardhjen e Covid-19, që u shfaq në Wuhan dhe u përhap në të gjithë botën.

Duke folur për reporterët në Shtëpinë e Bardhë, ai njoftoi se do të publikohet një raport i detajuar nga administrata amerikane lidhur me origjinën, por nuk dha detaje të tjera apo një datë konkrete. Trump pretendon se virusi vdekjeprurës doli nga Laboratori i Virologjisë në Wuhan, por vetë inteligjenca amerikane hodhi poshtë pistën që ai të jetë krijuar nga dora e njeriut.

I të njëjtit mendim ishte dhe virologu i njohur dhe kreu i task forcës së SHBA-ve kundër pandemisë, Entoni Fauçi. Kina mohon vazhdimisht vërtetësinë e pretendimeve të Presidentit amerikan, ndërsa edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë i vjen në ndihmë duke konfirmuar se koronavirusi i ri ka origjinë natyrore.

Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH, tha: “Ne nuk kemi marrë asnjë prove specifike nga qeveria amerikane lidhur me supozimet për origjinën e virusit, kështu që nga perspektiva jonë kjo mbetet spekulative. Por, nëse ato të dhëna apo prova ekzistojnë, i takon qeverisë së SHBA-ve që të vendosië nëse dhe kur mund t’i ndajnë me ne. Prandaj ne fokusohemi tek ato që dimë, tek provat që kemi. Këto prova, pra studimi i ADN-së, na këshillon se virusi ka origjinë natyrore”.

Ryan vlerësoi sërish kontributin e shkencëtarëve të Kinës që prej shpërthimit të pandemisë, duke nxitur botën që të ndjekë shembullin e tyre. Ndërsa nënvizoi se Pekini është i gatshëm të ndajë informacione dhe të ndihmojë vendet e tjera.