Bota Trump ndjehet i vjedhur: Më morën Nobelin e Paqes

Trump ndjehet i vjedhur: Më morën Nobelin e Paqes

Presidenti Donald Trump po akuzohet brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se me vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani kërkoi të ndezë një tjetër luftë në Lindjen e Mesme. Por, vetë Presidenti amerikan ndjen se i kanë vjedhur një çmim Nobel për Paqe.

Çmimin në fjalë nuk pretendon se e meriton për sulmin e vrasjes së gjeneralit iranian, por se e meritonte vitin e kaluar me ndërhyrjen në një vend që nuk ia përmend emrin, duke shmangur një krizë politike që mund të ishte përshkallëzuar në një luftë e konflikt të armatosur. Për zgjidhjen e kësaj krize, Trump thotë se u “dekorua” me Nobelin e Paqes udhëheqësi i atij vendi.

“Më lini t’u tregoj për çmimin Nobel për Paqe. Bëra një marrëveshja, shpëtova një vend dhe vetëm kur dëgjova se kreu i atij vendi po merr çmimin Nobel për Paqe. Thashë me vete; “mos kam të bëjë edhe unë me këtë?” Po, por ju e dini, kështu funksionojnë gjërat. Unë shmanga një luftë të madhe, shmanga shumë luftëra”, citohet ai përmes një klipi të shpërndarë në Twitter gjatë një takimi me mbështetës në Ohajo.

Por për cilin vend bëhet fjalë? Megjithëse Trump nuk e përmend në emër fituesin e Nobelit të Paqes, është e qartë që ai i referohej Kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, 43-vjeçari i shndërrua në Kryeministrin më të ri në kontinentin afrikan.

Ai e mori detyrën në prill të 2018 pas muajsh protesta antiqeveritare që detyruan pasardhësin e tij që të dorëhiqej. Me të marrë detyrën vuri në zbatim disa reforma liberalizuese, zbrazi burgjet me të dënuarit si aktivistë opozitarë dhe lejoi rikthimin në atdhe të disidentëve të larguar. Lejoi gjithashtu edhe lirinë e medias dhe promovoi në postë drejtuese gratë. Për këtë, në tetor të vitit të kaluar u nderuar me çmimin Nobel për Paqe, i vetmi udhëheqës i një vendi që ka fituar çmimin Nobel për Paqe që prej zgjedhjet se Donald Trump në 2016.

Motivacioni që shoqëroi ndarjen e këtij çmimi nga ana e Komitetit Noervegjez të Çmimeve Nobel lidhej me rolin e tij në zgjidhjen përmes dialogut dhe paqësisht të një konflikti kufitar me Eritrenë fqinje. Dy vendet zhvilluan një luftë të shkurtër, por të ashpër në vitet 1998-2000, që la pas mijëra të vdekur. Megjithëse në këtë vit teknikisht lufta u ndërpre, juridikisht dy vendet ishin ende në luftë, deri në korrik të 2018, kur Abiy dhe Presidenti i Eritreas, Isaias Afëerki nënshkruan një marrëveshje paqe dhe rihapën kufirin që për dy dekada ndante edhe familjet.

Por, a kishte rol Donald Trump në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje? BBC thotë se roli i SHBA në këtë proces ishte minimal. Ishin Emiratet e Bashkuara Arabe, që kanë një ndikim të madh në këtë rajon vendi që luajti rolin kyç në uljen e palëve në të njëjtën tryezë dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe po ashtu edhe Arabia Saudite.

Marrëveshja i hoqi gjithashtu sanksionet Eritresë, që ishin në fuqi që prej 2009. Mbetet e paqartë se përse e përmend tani këtë episod Donald Trump, por ajo që dihet është se edhe në të shkuarën, Presidenti amerikan ka deklaruar disa herë se meriton çmimin Nobel për Paqe përë përpjekjet për të bindur Kim Jong-un që të heqë dorë nga armatimi bërthamor.