SHBA Trump në kufirin me Meksikën: Nuk ka asgjë më të mirë se...

Trump në kufirin me Meksikën: Nuk ka asgjë më të mirë se muri!

| Nga American Eye
Shpërndaje

Presidenti Donald Trump mbrojti gjatë vizitës në qytetin McAllen, Teksas, në kufirin me Meksikën, idenë e tij për ndërtimin e një muri anti-emigrant, i cili ka ndezur debat me demokratët dhe ka shkaktuar paralizë të pjesshme të administratës amerikane.

“Është e nevojshme një pengesë, i nevojshëm një mur. Pa këtë, do të jetë vetëm problem dhe shumë të vdekur. Nuk ka asgjë më të mirë se një mur”, tha Trump.

Ai kërkon mbi 5 miliard dollarë për ndërtimin e murit, e cila ka për qëllim të parandalimit të migrimit ilegal dhe që e premtoi gjatë fushatës, ndërsa kundërshtarët e tij politikë e refuzojnë kategorikisht një projekt të tillë, të cilin e konsiderojnë të shtrenjtë dhe të paefektshëm.

“Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare”, u tha zoti Trump gazetarëve. “Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj.”

Presidenti Trump tha se ekzistojnë fonde të mjaftueshme (në dispozicion për murin) nëse ekziston një emergjencë kombëtare. Ndërkohë, demokratët dhe grupe të tjera pothuajse me siguri do të ngrenë sfida ligjore ndaj një deklarate emergjence të presidentit dhe ndaj përdorimit të fondeve ushtarake që tashmë janë caktuar për projekte të tjera.

Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se nëse mbyllja e qeverisë vazhdon për një periudhë të gjatë, kjo do të dëmtonte ekonominë e SHBA, më e madhja në botë. “Unë mendoj se kjo do të shfaqet mjaft qartë në të dhënat për ekonominë”, tha ai.

Demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë fonde të reja për sigurinë e kufirit, por jo për ndërtimin e një muri.

Një numër i vogël republikanësh kanë vënë në pikëpyetje refuzimin e zotit Trump për të rihapur agjencitë që janë mbyllur që nga 22 dhjetori, një mbyllje pothuajse tre javore, e dyta më e gjatë në historinë e SHBA, dy ditë më pak se një rekord i ri. Disa shërbime të qeverisë janë shkurtuar, me rreth 800,000 punonjës federalë që nuk punojnë ose që punojnë pa pagesë.

Ndërkohë, në Uashington qindra punonjës protestuan të enjten kundër mbylljes së qeverisë.

Gjatë fushatës së tij të suksesshëm për presidencën në vitin 2016, zoti Trump bënte thirrje shpesh për ndërtimin e një muri prej betoni dhe thoshte se ishte Meksika ajo që do të paguante për murin. Por me refuzimin e Meksikës, Presidenti Trump ka kërkuar pa sukses miratimin e Kongresit për financimin nga taksapaguesit amerikanë të një barriere, që tani ai thotë se do të jetë prej çeliku.