Bota Trump njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, reagojnë vendet e Gjirit

Trump njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, reagojnë vendet e Gjirit

| Nga American Eye
Shpërndaje

Rusia, Irani, Turqia dhe një sërë vendesh arabe, përfshirë aleatët e Shteteve të Bashkuara në gjirin Persik, si dhe vetë OKB-në, e kritikuan vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i njohur Izraelit sovranitetin e Lartësive Golan.

Një lëvizje e tillë, sipas këtyre vendeve përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe stabilitetit rajonal

“Nisur nga pikëpamja e një zgjidhjeje politike në Lindjen e Mesme dhe atmosferës politike në Siri, vendime të tilla padyshim kanë pasoja”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Për presidentin e Iranit, Hasan Rouhani, nga ana tjetër është e paimagjinueshme sesi një person në Amerikë mund t’i japë territorin e një kombi një vendi pushtues.

Trump e bëri njoftimin javën e kaluar dhe të hënën e zyrtarizoi lëvizjen e tij. Shefi i Shtëpisë së Bardhë foli për një hap historik dhe e argumentoi atë me mbrojtjen e Izraelit nga sulmet armiqësore që vijnë nga ky rajon.

Zyrtarizimin, ai e bëri gjatë vizitës së kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në SHBA.

“Ajo mbi të cilën unë vë firmën është një shpallje presidenciale që njeh sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan. Shteti izraelit e mori kontrollin e tyre në vitin 1967, pikërisht për të mbrojtur veten nga kërcënimet e jashtme”, tha Trump.

Netanyahu nuk ia kurseu falënderimet.

“Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë sesa Ju. Për armiqtë e vendit tim kam një mesazh shumë të thjeshtë: Ne do të bëjmë ç’është e mundur për të mbrojtur popullin dhe shtetin tonë”, tha kryeministri izraelit.

Aneksimi i Lartësive Golan nga Izraeli, 5 dekada më parë nuk mori mbështetje ndërkombëtare. Vitin e kaluar, Trump shkaktoi polemika edhe me zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, gjë që përmbysi dhjetëra vite politikë të jashtme të kujdesshme amerikane mbi këtë çështje.