Kryesore Trump: Po të kemi më pak se 100 mijë të vdekur në...

Trump: Po të kemi më pak se 100 mijë të vdekur në SHBA, do të kemi bërë një punë të mirë

Nga podiumi i vogël ku po zhvillonte konferencën ditore për koronavirusin, presidenti amerikan Donald Trump tha dje diçka që tingëllon “tmerrshme”, siç e cilësoi edhe vetë ai.

“Mund të themi se ky vend do të ketë bërë diçka të jashtëzakonshme në qoftë se të vdekurit do të jenë më pak se 100 mijë, edhe pse është një shifër e tmerrshme. Por pa bërë gjë do të kishim 2,2 milionë”, deklaroi dje presidenti amerikan nga Rose Garden, bahçja e trëndafilave, siç  thuhet ajo pjesë e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe autoriteti më i madh shëndetësor në SHBA, Anthony Fauci, kishte deklaruar se sipas parashikimeve, ende teorike, viktimat me koronavirus në Shtetet e Bashkuara mund të shkonin diku në harkun midis 100-200 mijë amerikanë.

Trump tërhoqi ndërkohë edhe deklaratën e tij se Amerika do të ishte gati të ndizte motorët e ekonomisë gjatë Pashkëve, duke shtyrë pjesën e kufizimeve nga 15 prilli në 30 prill. “Referimi i Pashkëve ishte më shumë një shpresë”, tha Trump, “në atë periudhë sipas llogarive të tanishme mund të kemi pikun e përhapjes, dhe fatkeqësisht të vdekjeve”.

Në SHBA të infektuarit deri më tani janë më shumë se 142 mijë, dhe të vdekurit janë dyfishuar në 24 orë, me rreth 2490 viktima.