Kryesore Trump: Rezultate fenomenale, gati të festojmë fitoren

Trump: Rezultate fenomenale, gati të festojmë fitoren

Presidenti në detyrë Donald Trump u shpreh në një deklaratë për shtyp se “po bëhet gati për festimet” e fitores në zgjedhjet presidenciale.

Në deklaratën e tij Trump u shpreh i bindur për fitore edhe në shtetet më të diskutuara aktualisht si Michigan, Pensilvania apo Winsconsin, shtete që më herët u pretenduan “drejt fitores” nga kandidati demokrat Joe Biden.

“Po bëhemi gati për festimin e madh. Rezultatet e sotme kanë qenë fenomenale, bëhemi gati të dalim jashtë e të festojmë këtë sukses me numra rekord, fituam shtete që nuk i prisnim, i fituam me diferencë të madhe,” – u shpreh Trump në konferencë për shtyp.

“Është e qartë se kemi fituar Georgian, fituam Karolinën e Veriut, nëse shohim Arizonën, kemi shumë mundës… dikush [Biden] deklaroi se ishte në fitore për të, por ka më shumë vota për t’u numëruar dhe aty mund të përmbyset rezultati, është e pritshme se mund t’i arrijmë, kemi mundësi të mirë që situata dhe numrat të ndryshohen. Kemi fituar Pensilvaninë me diferencë shumë të madhe. Kemi fituar Michiganin, kam parë numrat dhe jam habitur, po fitojmë Winsconsin…” – u shpreh Trump.

Presidenti aktual i SHBA iu rikthye më pas komentit të bërë më herët prej tij në Twitter se “demokratët po përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet”.

Ai tha se republikanët janë kundër mënyrës se si po veprohet me procesin e numërimit të votave.

Trump u shpreh se po përpiqen që procesi të shtyhet, gjë që sipas tij bëhet nën dyshimin e fortë se “po kërkohet t’i shtojnë votat pas procesit të mbyllur”.

“Jemi kundër metodës që po përdoret për numërimin e votave. Duam që ligji të zbatohet, duam që procesi i votimit të ndalojë dhe nuk duam që me zgjatjen e procesit t’i shtojnë votat në listë,” – u shpreh Trump duke nënkuptuar se do t’ia përcjellin pretendimet Gjykatës së Lartë.