Bota Trump sulmon ‘rivalin’ De Santis: Politikan mesatar, merita ime nëse u bë...

Trump sulmon ‘rivalin’ De Santis: Politikan mesatar, merita ime nëse u bë guvernator

Ish-presidenti Donald Trump sulmoi publikisht guvernatorin e Floridës, Ron De Santis, ndërsa e akuzoi si mosmirënjohës dhe se politikani që ai ndihmoi të bëhej tani është rivali i tij kryesor për të udhëhequr republikanët.

Vetëm pak ditë para se të njoftojë vendimin nëse do të kandidojë për president, Trump mori kreditet për suksesin e De Santis në vitin 2018, e klasifikoi atë si një politikan “mesatar” dhe e akuzoi se po luan lojëra duke mos njoftuar ende ambiciet presidenciale.

Në një seri postimesh të publikuara në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump tha se, “De Santis është një guvernator mesatar, por që ka një fushatë të fortë marrëdhëniesh me publikun”.

Por në të njëjtën kohë ish-presidenti mori meritat përse De Santis fitoi me shifra historike kontestin e së martës me thuajse 20 pikë ndaj rivalit demokrat Charlie Crist.

Për muaj të tërë, De Santis është përfolur si rivali më i mundshëm i Trump në 2024-n nëse garon për president dhe rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit kanë përforcuar këtë hipotezë.