Bota Trump takon “mikeshën e mrekullueshme”

Trump takon “mikeshën e mrekullueshme”

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mbuluar me komplimente, kancelaren Angela Merkel. Ajo është një “person fantastik”, “mikeshë e mrekullueshme” dhe marrëdhënia është e “shkëlqyer”, tha Trump në Osaka, Japoni.

Para samitit të G20-s që zhvillohet në Osakan japoneze, presidenti amerikan e kishte kritikuar kancelaren Merkel. Bashkëpunimin gjermano-rus në fushën e energjisë ai e kishte vlerësuar me fjalët “ata paguajnë një armik potencial“. Por në Osaka ai u përshëndet me të dhe u paraqit tërësisht ndryshe. Mjaft miqësor u shpreh Trump për kancelaren, dhe e lëvdoi atë si një “person fantastik” dhe “mikeshë e mrekullueshme”. Marrëdhënia mes tyre “e shkëlqyer“.

Merkel u paraqit shumë më e përmbajtur në takimin me Trump. Ka shumë gjëra për të biseduar, tha ajo dhe duhet theksuar, se ekonomia gjermane investon fort në SHBA. “Nuk kemi vetëm tregti, por edhe shumë investime.” Marrëdhënia mes qeverive të Gjermanisë dhe SHBA që nga ardhja në pushtet e Donald Trump konsiderohet e tensionuar. Trump lufton kundër suficitit tregtar të Gjermanisë në SHBA.

Merkel vazhdon programin pas dridhjes

Megjithë shfaqjen e një dridhjeje të re në publik, e dyta brenda një kohë te shkurtër, kancelarja Merkel vazhdoi programin e punës dhe udhëtoi në Osaka. Ndërkohë në Gjermani janë shtuar shqetësimet për gjendjen shëndetësore të kancelares, shkruan dpa. Pak orë para fluturimit në Japoni Merkel u drodh gjatë ceremonisë së emërimit të ministres së re të Drejtësisë. Gazetat gjermane citojnë qarqe qeveritare, sipas të cilave dridhja e re nuk është problem shëndetësor, por më shumë e kushtëzuar psikologjikisht. Ky është “një proces psikologjik që duhet përpunuar”, kujtimi për dridhjen e kaluar para pak ditësh duhet ta tronditur thellë Merkelin, citojnë mediat gjermane qarqe qeveritare.