Bota Trump telefonatë të tensionuar me kryeministren daneze për Groenlandën

Trump telefonatë të tensionuar me kryeministren daneze për Groenlandën

Presidenti Donald Trump raportohet se ka pasur një bisedë “të nxehtë” me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, mbi insistimin e tij se kontrolli i SHBA-së mbi Groenlandën është i nevojshëm për sigurinë kombëtare amerikane.

Financial Times shkruan se telefonata 45-minutëshe mes Trump dhe Frederiksen arriti deri në ngritje zëri. Në kohën që është zhvilluar biseda, Trump nuk e kishte marrë ende detyrën dhe ka kërcënuar me tarifa kundër aleatëve në NATO.

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Brian Hughes, nuk komentoi mbi tonin e bisedës, por tha se Trump u fokusua mbi Groenlandën si pjesë e një konkurrence më të madhe mes Kinës dhe Rusisë.

“Presidenti Trump ka qenë i qartë që siguria e Groenlandës është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara në një kohë kur Kina e Rusia po bëjnë investime të rëndësishme në rajonin Arktik”, tha Hughes në një deklaratë.

Ai shtoi më të tej se presidenti është i angazhuar jo vetëm për të mbrojtur interesat e SHBA-së në Arktik, por po punon edhe për Groenlandën që të sigurojë prosperitet për të dyja kombet.

Sipas mediave biseda është zhvilluar më 15 Janar dhe kryeministrja daneze i është kundërpërgjigjur me deklaratën e vetë zyrtarëve të Groenlandës, që ishulli nuk është për shitje dhe se u takon banorëve atje të vendosin për pavarësinë.

Gjatë javëve të fundit, Trump nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ekonomike ose ushtarake për të marrë kontrollin e ishullit arktik.

Kujtojmë se Groenlanda është pjesë autonome e mbretërisë së Danimarkës.