Bota Trump urdhëron pezullimin e avionëve Boeing 737 Max 8 në SHBA

Trump urdhëron pezullimin e avionëve Boeing 737 Max 8 në SHBA

Presidenti Trump urdhëroi linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara të pezullojnë avionët 737 Max 8 të Boeingut, duke anuluar një vendim të mëparshëm nga rregullatorët amerikanë për të mbajtur avionët në fluturim pas një aksidenti të dytë vdekjeprurës që përfshiu një nga avionët e këtij lloji në Etiopi.

Administrata Federale e Aviacionit për ditë me radhë u rezistoi thirrjeve për të pezulluar avionin edhe kur rregullatorët e sigurisë të 42 vendeve i kishin ndaluar fluturimet me avionin 737 Max 8. Deri të martën, agjencia i qëndroi vlerësimit se nuk kishte parë “çështje sistematike të performancës” që do ta bënte atë të ndante fluturimet e avionit.

Rrëzimi i avionit të shoqërisë ajrore Ethiopian Airlines 302 shkaktoi vdekjen e të gjithë 157 personave në bord. Në tetor, një avion Boeing 737 Max 8 i shoqërisë Lion Air, në Indonezi, u rrëzua në rrethana të ngjashme dhe shkaktoi vrasjen e 189 njerëzve në bord.

Pas dy aksidenteve ajrore me avionin Boeing 737 MAX 8, u shtuan thirrjet për qeverinë amerikane të pezullonte fluturimin e tij edhe në Shtetet e Bashkuara. Administrata Federale Amerikane e Aviacionit kishte urdhëruar deri të mërkurën kompaninë Boeing të përmirësonte programin kompjuterik të këtyre avionëve.

Familjet ende po vajtojnë për viktimat në avionin Ethiopian Air 302, i cili u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Addis Abeba të dielën, duke vrarë të gjithë 157 personat në bord.