Bota Trump vendos tarifa 25% për makinat e importuara, ekspertët thonë që kjo...

Trump vendos tarifa 25% për makinat e importuara, ekspertët thonë që kjo lëvizje do të rrisë çmimet

Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar planet për tarifat e premtuara prej kohësh deri në 25% për importet e makinave, duke zgjeruar luftën tregtare globale.

“Ajo që ne do të bëjmë është një tarifë 25% për të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara. Ne fillojmë me një bazë prej 2.5%, që është ajo në të cilën jemi, dhe shkojmë në 25%”, tha Presidenti Trump.

Trump, i cili i sheh tarifat si një mjet për të rritur të ardhurat për të kompensuar shkurtimet e premtuara të taksave dhe për të ringjallur një bazë industriale amerikane që ka rënë prej kohësh. Ai u shpreh gjithashtu se tarifat e reja të importit do të hyjnë në fuqi pas mesnatës së 3 Prillit.

“Ne do ta bëjmë këtë masë shumë të butë. Unë mendoj se njerëzit do të habiten shumë. Do të ketë, në shumë raste, më pak se tarifa që ata na kanë ngarkuar për dekada”, tha Donald Trump.

Ekspertët e industrisë së automobilave presin që kjo lëvizje do të rrisë çmimet dhe do të pengojë prodhimin.

Në reagimin e parë ndaj njoftimit të Trump, aksionet e disa prej gjigandëve të automobilave ranë me 3 deri në 4%. Një reagim i shpejtë pasoi në Bruksel, ku presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu keqardhjen për vendimin e SHBA. Ajo u zotua se blloku do të mbrojë konsumatorët dhe bizneset.

“Tarifat janë më të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët njëlloj në SHBA dhe Bashkimin Evropian”, tha ajo në një deklaratë, duke shtuar se BE do të vlerësojë ndikimin e masës, si dhe tarifat e tjera të SHBA-së të planifikuara për ditët në vijim.

Gjithashtu në një reagim Kanadaja i cilësoi tarifat e Trump një sulm të drejtpërdrejtë. Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi një “fond reagimi strategjik” prej 1.2 miliardë eurosh që do të mbrojë vendet e punës dhe industritë e automjeteve të prekura nga tarifat e Trump.

Carney theksoi se industria e automobilave punëson drejtpërdrejt 125,000 kanadezë dhe gati 500,000 të tjerë në industri të lidhura, duke i bërë ata eksportin e dytë më të madh të vendit.

Gjithashtu edhe presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva tha se Trump rrezikonte të dëmtonte ekonominë amerikane me tarifa shtesë.

Analistët paralajmërojnë se kjo ka të ngjarë të ndikojë në industrinë e automobilave në SHBA, pasi edhe prodhuesit amerikanë të makinave i marrin komponentët e tyre nga e gjithë bota, që do të thotë se mund të përballen me kosto më të larta dhe shitje më të ulëta. Disa nga parashikimet vlerësojnë se çmimi mesatar i mundshëm i një makine të importuar mund të rritet me rreth 11,000 euro, gjë që mund të kontribuojë në inflacionin e përgjithshëm.