Bota Trump: Vetëm George Washington ka emëruar më shumë gjyqtarë se unë

Trump: Vetëm George Washington ka emëruar më shumë gjyqtarë se unë

Presidenti amerikan Donald Trump është mburrur se ka thyer “çdo rekord” në emërimin e gjyqtarëve, duke deklaruar se vetëm George Washington ia ka kaluar sepse ai kishte emëruar 100% të tyre.

Trump foli me krenari për arritjet e tij gjatë 18 intervistave me gazetarin Bob Woodward, për librin e tij me titull “Rage”.

Ai tha se udhëheqësi i Senatit Mitch McConnell, ishte i fiksuar me emërimin e gjykatësve konservatorë dhe e festoi atë fakt që kur Barack Obama u largua nga Shtëpia e Bardhë me 100 vende të lira pune në gjykata.

Çështja e emërimit të gjyqtarëve është bërë një temë intensive pas vdekjes së anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg të premten.

Trump dhe McConnell shpresojnë që shpejt ta zëvendësojnë atë me një kandidate konservatore, por demokratët kërkojnë që për emërimin e gjyqtarit/gjyqtares së re të presin pas zgjedhjeve.

Trump në janar mburrej se kishte instaluar 187 gjyqtarë në stolin federal dhe dy në Gjykatën e Lartë.

“I vetmi që ka një përqindje më të mirë se unë është George Washington, sepse ai caktoi 100 përqind”, i tha Trump Woodward, citon Daily Mail.

“Por përqindja ime është, ju e dini, qesharake”.

Gazetari i kujtoi Trump-it se Jimmy Carter, nuk e pati kurrë shansin për të emëruar një gjyqtar të Gjykatës së Lartë gjatë presidencës së tij.

Trump u përgjigj: “Ai nuk meritonte asnjë”.

Trump i tha gazetarit veteran në muajin mars se ai sapo kishte nënshkruar gjyqtarin e tij të 220-të dhe priste të të emëronte “260, 270, ndoshta edhe 280, ndoshta edhe 300” deri në fund të mandatit të tij të parë.

Senati deri më tani ka konfirmuar 216 gjyqtarë të Trump.