Kryesore Trump zyrtarisht kandidat: Demokratët do të përdorin Covid për të vjedhur zgjedhjet

Trump zyrtarisht kandidat: Demokratët do të përdorin Covid për të vjedhur zgjedhjet

Donald Trump u emërua zyrtarisht si kandidat presidencial në Konventën Kombëtare Republikane. Presidenti Donald Trump tha se mënyra e vetme se si demokratët mund ta mundin në zgjedhjet e nëntorit është përmes një procesi të manipuluar votimesh, duke përdorur fletëvotimet me postë.

Trump mbajti një fjalim të gjatë, i cili zgjati rreth 52 minuta, duke e shndërruar në protagonist të skenës. Edhe ndërhyrjet e personaliteteve të tjera të ftuara në kongres kishin për qëllim ndërtimin e imazhit të Trump si një njeri që e “do Amerikën” dhe “mendon për të tjerët”, por që ka të gjithë forcën për të kapërcyer krizën e koronavirusit dhe vështirësitë ekonomike.

Fjalimi i Trump

Gjatë fjalës së tij, Trump u përshëndet me thirrjet “katër vjet të tjera” nga delegatët e partisë së tij në kuvend.

“Nëse doni t’i çmendni me të vërtetë, thoni edhe 12 vjet të tjera”, u përgjigj presidenti.

Fjalimi i tij ishte përqendruar shumë te demokratët dhe mbi atë që është frika më e madhe e tij, mundësia që përmes votimit me postë, për shkak të pandemisë Covid-19, mund të shndërrohet në një proces të manipulimit të votave.

“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë tonë, mos lejoni që t’i marrin. E vetmja mënyrë që demokratët të fitojnë është përmes vjedhjes së zgjedhjeve. Ky është mashtrimi më i madh në histori, në të gjithë botën dhe jo vetëm në vendin tonë”, tha Trump.

“Ata u përpoqën të na spiunojnë në zgjedhjet e fundit dhe ne i kapëm ata, këtë herë ata duan të na vjedhin përmes votimit me postë”, vazhdoi ai.

Pas kësaj, Trump foli edhe për sukseset e arritura në këto katër vite të presidencës së tij.

“Ne kemi bërë më shumë se çdo administratë tjetër, kemi ndërtuar murin tonë, i cili do të përfundojë së shpejti. Ne mundëm ISIS dhe vramë Al-Bagdadin. Ne vramë një nga terroristët më të mëdhenj, mbase më të rrezikshmin nga të gjithë, Sulemanin. Ne realizuam uljen më të madhe të taksave në histori, kemi nënshkruar marrëveshjet më të mëdha tregtare më Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut”.

“Ne do t’i terrorizojmë ata që na frikësojnë”

Duke folur për të ardhmen, kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se në rast të rizgjedhjes së tij si President i vendit do të punësojë më shumë policë, do të forcojë akoma më shumë forcat e armatosura, do të emërojë më shumë gjyqtarë kundër abortit dhe do të vazhdojë me politikën e tij të jashtme proteksioniste ndaj vendeve që “përfitojnë” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne do t’i terrorizojmë ata që na frikësojnë”, tha ai. Dhe në krye të listës është Kina, armiku i përjetshëm, një vend që s’do ta harrojmë për atë që na ka bërë. Ideja është pandemia, që sipas administratës Trump, fajtor është gjiganti aziatik.

“Me Biden në krye, Kina do ta marrë vendin tonë”, paralajmëroi përsëri Trump.

Gjatë fjalës së tij të pranishmit u gëzuan kur Presidenti u zotua se do të mbrojë të drejtën e amerikanëve për të mbajtur armë dhe se SHBA-të nuk do të jenë kurrë një vend socialist.

Në dallim nga kuvendi virtual demokrat i javës së kaluar, ku u emërua zyrtarisht Joe Biden, republikanët sollën 336 delegatë në Sharlot.