Kryesore Trupa gjykuese e Saimir Tahirit nuk ndryshon pavarësisht shortit të gabuar

Trupa gjykuese e Saimir Tahirit nuk ndryshon pavarësisht shortit të gabuar

Dosja penale ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri do të vazhdojë procesin gjyqësor me kryesues të seancës Ilir Pandën dhe relatorë Sokol Sadushin dhe Ervin Pupe.

Kjo dosje është hedhur gabimisht në short së bashku me 42 çështje të tjera, pasi në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.

Shorti i hedhur gabimisht kishte përcaktuar Sandër Simonin si kryesues të seancës. Pas ndryshimeve ligjore që u futën në fuqi më 1 qershor, shorti i dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës është anuluar për të gjitha dosjet që ishin në gjykim.

Ndërkohë në Gjykatën e Lartë ende nuk ka asnjë datë se kur do të nisë procesi gjyqësor për Tahirin dhe Çelën. Ky i fundit një ditë më parë i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme shuarjen e afateve të paraburgimit, pasi që nga koha kur është dhënë vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, ka kaluar më shumë se një vit. Po ashtu Jaeld Çela ka kërkuar edhe ndryshim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë më të butë.

Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u gjendën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”. Ish-ministri u dënua me 3 vite shërbim prove ndërsa Jaeld Cela me 3 vite e 4 muaj burg.