Opinione Trysnia e Trustit të Gështenjave

Trysnia e Trustit të Gështenjave

Partia Demokratike lajmëroi se listat e anëtarëve të saj, të cilët do të jenë pjesë e zgjedhjes farsë të kryetarit të përcaktuar, do të jenë një sekret i brendshëm, pra, do të jenë të mbyllura dhe, njëri ndër shkaqet , sipas tyre, nuk mund të bëhen viktimë e gjuetisë së shtrigave nga qeveria e tanishme, që në fakt është edhe qeveria e katër viteve të shkuara.

Duke dashur të venë vetullat e një kronike të paralajmëruar zgjedhore, ata, ndoshta jo edhe aq pa dashje, nxjerrin sytë e një politike, e cila, megjithë fjalët e mëdha për liri e progres, ka mbajtur të mbyllur jo vetëm në sinoret e terrta fatin e një partie politike, por edhe të të gjithë vendit.

Askush nuk e ka fshehur deri tani përkatësinë e tij politike, aq më tepër në një vend pune ku, të gjithë dinë për të gjithë dhe të gjithë e dinë se për cilët ke votuar. Duke dashur të fshehin listën e njëkohësisht të mohojnë se çfarë kanë thënë deri tani për fshesën në administratë nuk qëndron, pra është një e dhënë krejt e rreme, në fakt po përgatitet diçka krejt tjetër, e cila e ka burimin në sulltanatin e Viçidolit, me një vazhdim tek afera fazlliçiane, që ka kapur për fyti këtë pjesë të lëvizjes politike në Shqipëri, për të rimbajtur në pushtetin partiak një figurinë politike, që shumë shpejt, sapo të çirret një herë Plaku, i mbush poturet e ia mbath për në Hollandë.

Partia Socialiste, ndryshe nga sa kishte ndodhur në vitin 2009, kur në opozitë kërkoi të hapen disa nga kutitë ku ishin bërë vjedhjet spektakolare dhe ata u dogjën buzë Erzenit, me urdhrin e skërmitur të shefit të kohës së qeverisë, Berishës, ra e një mendje që pas një kërkese të Idrizit, të hapen jo vetëm kutitë e propozuara prej tij, por edhe të tjera. Si duket nuk kishte asnjë mëdyshje se gjërat kishin qenë të hapura, nuk kishte asnjë lloj droje se pas tyre mund të fshiheshin abuzimet e shitjet dhe në fund, ndershmërisht dëshmoi se e gjithë zhurma e bërë rrëmujshëm, kishte qenë vetëm mbarsja e një mali që polli një mi. Ndryshimi me 5 vota, në mbi 60 kuti, nuk ishte asgjë tjetër veçse pranimi se gjërat kishin rrjedhur normalisht. Por, edhe nëse do të kishte pasur ndryshime thelbësore të numrit të votave, vetë fakti që pranoi pa asnjë hezitim kërkesën e opozitës së para katër viteve dhe të tashme, për të hapur pikërisht kutitë që donin, është shenjë e emancipimi të politikës. Kjo duhet pranuar dhe i bën nder, jo vetëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe partisë që drejtoi shtetin në katër vite e do e drejtojë edhe në vitet e ardhshme.

Hapja e jo mbyllja është emancipim. Pranimi i asaj që të kanë mohuar është shenjë e së drejtës. Nëse Rama do të kishte mohuar të drejtën e hapjes së kutive, ai do të na sillte hijen e zgjatur të Berishës në politikën shqiptare. Pra, do të ishte një vazhdim i tij, hermetizëm politik e njerëzor që, veç të tjerave, mund të ndizte mllefet e vjetra e të krijonte të reja.

Nëse qeveria personifikohet me Ramën, atëherë mund të themi se kësaj here kishim para vetes një qeveri të emancipuar dhe një lider, po ashtu, të emancipuar. Bataku paszgjedhor, sidomos në vitin 2009, nuk u përsërit, pasi perceptimi i së drejtës nuk është i njëjtë me vetë atë që ka PD-ja që në gjenezën e saj.

Në të vërtete, ajo që sot ndodh në vetë PD-në, nuk është as një çudi e madhe dhe as një risi e pazakontë. Është thjeshtë ripërsëritje e asaj që jo pa dashje ka ndodhur që në fillimet e saj. Mbyllja brenda vetes dhe vënia e partisë nën kontrollin e një grushti hierarkësh, shumë nga të cilët kanë qenë e janë pjesë e një shërbimi të fshehtë, jo vetëm politik, por edhe goditës, me fillesë që nga koha e Gazidedes, por si një kopje e sigurimit famëkeq e jo vetëm atij, por edhe si një kopje e asaj që ndodhte jashtë kufijve veriorë, është përcjellja e politikës në vetë strukturën partiake.

Sa herë që dikush ka tentuar të dalë nga rreshti, ai është ndeshur me dhunën, e cila fillimisht ka qenë verbërisht harbute, si ndodhi me zotin Selami,megjithëse juridikisht ishte ende kryetar, e si ndodhi më pas me zotin Olldashi, që synonte të bëhej kryetar. Selami në vitin e largët dhe Olldashi në kohën e afërt tentuan atë që nuk ishte menduar, thyerjen e sinorit oligarkik e të fshehtë brenda PD-së, dhe kur u mendua se ata mund të bëheshin të rrezikshëm, njërin, të parin, Selamin, e detyruan të degdiset në Amerikë, ndërsa tjetri, Olldashi, ishte rasti fatkeq i një aksidenti ende nën enigmën e ikjes.

Edhe tani, listat e mbyllura, listat enigmë, që mund të shtohen e të pakësohen sipas dëshirës së Kunatit, janë pjesë e oligarkisë politike, e cila, qoftë edhe nën emrat e rinj, janë përsëri nën trysninë dhe kupolën e Trustit të Gështenjave nga Viçidoli. Pjesa tjetër duket e mbyllur në atë kullë që ngriti Shkëlzeni me paratë e krimit. Dhe nga një kullë e tillë është e vështirë të dilet.

Mund të jesh me emër e të kesh bërë fort me PD-në, kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet përtej saj, të jesh pjesë e Trustit. Kontrolli i partisë me dorën e hekurt të Berishës dihet edhe nga kundërshtarët e tjerë të Bashës. Dihet edhe nga Patozi, i cili, pasi ka qenë pjesë e këtij trusti të politikës, e di forcën e tij dhe, e di po ashtu se, pa, lejen nga lart nuk mund të lëvizet.

Patozi dhe Selami janë njerëz të mençur, pavarësisht se i kanë shërbyer një çështje të prapshtë. Selami edhe mund të ketë harruar forcën e trustit politik të Klanit të Berishës, por Patozi nuk është shkëputur prej shumë kohe nga ai klan. Më saktë, e kanë shkëputur. Nëse do të kishte qenë rishtas deputet dhe në forumet ku ishte, tani do të ishte i heshtur, si shumë të tjerë brenda grupimit të tij.

Në katër vitet e politikës së Bashës në vathën e tyre politike, të gjithë “trimat e trimëreshat” rreth Patozit e jashtë tij, kanë heshtur edhe kur janë shkelur të gjitha normat që rregullojnë jetën e asaj strukture; kanë heshtur edhe kur kryetari i tyre , si i thonë, java tre e ai katër ditë në Hollandë; në raste të veçanta edhe i kanë rrahur shpatullat atij dhe e kanë quajtur modern e perëndimor; broçkullat e tij i kanë shitur për fjalë të mençura, dhe, në fund, ajo që vetë lejuan ra mbi fatin e tyre politik, u kreshpëruan.

Listat e mbyllura, sidomos kur secili e di se me cilën forcë politike je, janë vetëm ajo që duket në jetën e një partie politike e cila, u mendua si e tillë, por që një komunist i vjetër e shndërroi fillimisht në një organizatë militante, si ajo ku kishte qenë vetë, e më pas, në një detashment të çartur, që, edhe për pak gjë, mund të bënin të paqenë.

Nuk ka zare të hedhur në një fushë politike. Kryetari është emëruar, zgjedhjet bëhen për të gjetur edhe një herë kundërshtarët e rinj politikë, për të sunduar më lehtë.

Ballas kemi dy botë të politikës: njërën që lejon të bëhet atë që ia kanë mohuar, hapjen e kutive; tjetrën që edhe vetes ia mbyll të vërtetën.

Ndaj edhe për Ramën nuk ka qenë edhe aq e vështirë të fitojë kaq shumë e të jetë kaq i sigurtë./DITA