Bota Tsipras fiton votëbesimin në Parlament, gati për zgjedhjet e 26 Majit

Tsipras fiton votëbesimin në Parlament, gati për zgjedhjet e 26 Majit

Kryeministri grek, Alexis Tsipras fitoi të premten në mbrëmje, besimin e parlamentit të vendit, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, që do të jenë edhe testi i parë i vërtetë i qeverisë së tij, sa i përket shanseve për t`u rizgjedhur në zgjedhjet kombëtare të vjeshtës.

Mocioni i votëbesimit i mbajtur të premten erdhi pas përplasjeve mes Sirizës dhe Demokracisë së Re. Kjo e fundit kërkonte dorëheqjen e ministrit alternativ të shëndetësisë, Pavlos Polakis, të cilin e akuzonte se ka fyer njerëzit me aftësi të kufizuara.

Tsipras ia doli kështu të merrte mbështetjen e 153 ligjbërësve në një parlament me 300 vende, dhe ku votuan një total prej 289 deputetësh.

Qeveria e Alexis Tsipras, mandati i së cilës përfundon në muajin Tetor, në sondazhe udhëheq ndjeshëm përpara konservatorëve. Zgjedhjet e 26 Majit për Parlamentin Europian do të mbahen njëkohësisht me ato lokale.