Aktualitet Tufa dorëzon nismën në Kuvend: Filmat të transmetohen me logon “Kujdes!” ose...

Tufa dorëzon nismën në Kuvend: Filmat të transmetohen me logon “Kujdes!” ose “PPSH”

Në emër të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, poeti Agron Tufa i nisi sot Kuvendit propozimin për parandalimin apo ndalimin e filmave shqiptarë të prodhuar gjatë kohës së komunizmit.

Më poshtë propozimi i plotë.

DOKUMENTI I PLOTE

Propozimi bëhet për ndalimin e propagandës komuniste që fyen, denigron dhe manipulon ndjeshmëritë e popullatës së persekutuar përgjatë diktaturës, nëpërmjet dokumentarëve dhe filmave artistikë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Apeli që ISKK i dërgoi sot Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me Propagandën komuniste që përcjellin Dokumentarët dhe një pjesë shqetësuese e filmave artistikë

REPUBLIKA E SHQIPËRISË INSTITUTI I STUDIMEVE TË KRIMEVE DHE PASOJAVE TË KOMUNIZMIT

Lënda: Propozim për ndalimin e propagandës komuniste që fyen, denigron dhe manipulon ndjeshmëritë e popullatës së persekutuar përgjatë diktaturës, nëpërmjet dokumentarëve dhe filmave artistikë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Drejtuar: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarit të tij, z. Ilir Meta

APEL

I nderuar z. Kryetar, Të nderuar zotërinj deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), një institucion publik, qëndror, i pavarur, që gëzon statusin e personit juridik dhe është një instrument i Parlamentit shqiptar, i krijuar me Ligjin nr. 10242, datë 25.02.210 (VKM), shpreh shqetësimin e tij të thellë, të hershëm e të vazhdueshëm në bazë edhe të ankesave të ish-të përsekutuarve nga rregjimi komunist, në lidhje me transmetimin e pakontrolluar të materialeve filmike të Kinostudios “Shqipëria e Re” (dokumetarë dhe filma artistikë të periudhës së diktaturës komuniste). Këto produkte kinematografike e televizive të kohës së rregjimit komunist përmbajnë në shkallë të ndryshme propagandë fyese, denigruese e manipuluese kundrejt standardeve të sotme demokratike që i garanton qytetarit tonë Kushtetuta e Republikës. Ju kujtojmë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 3 dhe 18, shprehen qartë që:

“Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. (Neni 3). Dhe:

“1.Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. 2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore. 3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”. (Neni 18). Veçanërisht fyese e denigruese kjo propagandë, në kushtet e sotme, është kundrejt asaj pjese të shoqërisë sonë, e cila për gjysëm shekulli u pushkatua, u burgos, u internua, u përndoq dhe u privua me egërsi të pashembullt nga makina represive e ideologjike e shtetit komunist.

Dokumentarët dhe një pjesë e filmave artistikë të periudhës së Komunizmit, duke risjellë sot propagandën e një diktature totalitare cënon dhe diskriminon pikërisht një pjesë të vuajtur të shoqërisë sonë, e cila sipas statistikave përbën rreth 30% të popullsisë së Republikës. Me këto materiale filmike që “bombardojnë” ekranet e televizioneve tona cënohet të gjitha pikat e nenit 3 të Kushtetutës (dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve…”), të cilat, po sipas këtij neni, Kushtetuta ia ngarkon shtetit që ” t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Po kështu dhe barazia përpara ligjit, e shpallur në nenin 18 të Kushtetutës mbi “diskriminimin e padrejtë” për të gjitha arsyet e mësipërme të shprehura më lart, çon në shkelje flagrante. Nisur nga ky shqetësim, në kushtet kur, në mbi 70 kanale televizive, qëndrore dhe lokale, ekranet transmetojnë papushim filma e dokumentarë, që provokojnë e tallen me plagët e pjesës më të martirizuar të shoqërisë sonë nga rregjimi komunist, që cënojnë rëndë dinjitetin dhe integritetin moral të tyre, ne i bëjmë apel institucional Kuvendit të Shqipërisë, si Institucioni më i lartë ligjor e ligjvënës, të ndërhyjë me instrumentat e tij ligjorë në mbrojtje të kësaj shtrese të gjakosur dje dhe të provokuar e të nëpërkëmbur sot.

Në bazë të detyrave tonë ligjore që na keni dhënë të zbatojmë, Instituti ynë ju kujton se në nenin 5 të Ligjit nr. 10242, datë 25.02.2010 (VKM), në përputhje me germat d, ë dhe f, ndërmjet të tjerash, ka për detyrë që:

  1. d) studion dhe vlerëson veprimtarinë kriminale të Partisë Komuniste të Shqipërisë, më pas të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të organizatave të tjera, të krijuara në mbështetje të ideologjisë së saj; ë) evidenton personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit; f) vë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave;

Gjithnjë në akord me detyrat tona ligjore, theksojmë se, filmat e kohës së komunizmit ishin një mikster i fuqishëm propagandistik dhe se një pjesë e këtyre filmave artistikë dhe pothuaj pjesa dërrmuese e dokumentarëve falsifikojnë dhe shtrembërojnë faktet, historitë, ngjallin përfytyrime të gabuara për ngjarje dhe persona, vënë në shënjestër të diskriminimit klasa e grupe shoqërore, klerin dhe intelektualët, me qëllim damkosjen e tyre morale e kombëtare si armiq të rrezikshëm të shoqërisë. Jo pa qëllim ka ekzistuar në KQ të PPSH Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës që hartonte strategjinë e saj propagandistike dhe kalonte në filtër paraprak censure çdo produkt kinematografik.

Në vendimin nr. 499, datë 26. 12. 1952 të Byrosë Politike “Mbi zhvillimin e letërsisë dhe arteve”, thuhet ndër të tjera: “Niveli ideologjik i letrarëve dhe artistëve po ngrihet dhe përpjekjet e tyre për përvetësim të metodës artistike të realizmit socialist janë të mëdha. Ato po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga shembulli dhe eksperienca e letërsisë dhe arteve sovjetike. Tematika e re që përfaqëson frymën e partisë, përshkon pothuajse të gjitha prodhimet letraro-artistike. Heroi i saj, është njeriu i ri, që punon e lufton për të ardhmen.”

Byroja politike me vendimin në fjalë, kërkonte përmirësim të prodhimeve letrare e filmike, duke kërkuar:

1 – Njohje të plotë të realitetit, sidomos parimit të luftës së klasave. 2 – Evidentimin e heroit pozitiv. 3 – Kuptimin e jashtëm të frymës së partisë, etj.

Në mënyrë të përmbledhur theksojmë se këto filma kanë shkaktuar:

– Manipulime historike, që nga koha e luftës e më pas, përgjatë 45 vjetëve të diktaturës. – Manipulim të të vërtetave të rendit socialist. – Ngritjen e kultit të Partisë së Punës, Sigurimit të Shtetit, Sekretarëve të partisë etj.

I nderuar z. Kryetar, Të nderuar zotërinj deputetë,

Siç mund ta dini, gjatë gjithë muajt mars 2017 është zhvilluar një narrativë në mediat tona rreth konstatimit tonë, se shfaqja pa kriter e filmave dhe dokumentarëve me propagandë komuniste në ekranet tona televizive, anembanë Shqipërisë, përbën një provokim të rëndë për një pjesë të popullit tonë dhe, në përgjithësi, për higjenën mendore e shpirtërore të çdo qytetari normal.  Gjatë debateve të shumta në shtypin e ditës dhe studiot televizive argumentet e paraqitura prej nesh, të mbështetura në Kushtetutën e vendit, diskriminimin dhe rrezikun që paraqet propaganda komuniste e këtyre filmave, kanë patur vetëm një palë kundërshtuese, të pajustifikuar në Kushtetutë dhe barazinë e të drejtave njerëzore. Kjo palë kundërshtuese ka qenë homogjenikisht solidare me vetveten dhe e përfshirë direkt në konflikt të kulluar interesi, siç janë në fakt vetë autorët e filmave të krijuar në shërbim të propagandës komuniste. Përballë këtij “bërrlloku toksik” gjendet i pambrojtur brezi i ri, i cili nuk e ka përvojën e krahasimit të dy kohëve.

Argumentat që kemi paraqitur, se pse produktet kinematografike të Kinostudios “Shqipëria e Re” përbëjnë një shqetësim serioz për shëndetin mendor e shpirtëror publik, po i rreshtojmë përmbledhtas më poshtë:

  1. Një pjesë e filmave dhe dokumentarëve të krijuar gjatë rregjimit komunist, bien sot ndesh me parimet demokratike të Lirisë, që i garantojnë shqiptarëve me Kushtetutë mbrojtjen e dinjitetit, barazisë dhe identitetit të tyre kulturor, fetar, shoqëror dhe prejardhjes prindërore.
  2. Në kushtet kur qindra mijëra qytetarë shqiptarë dhe familjet e tyre ende nuk janë rehabilituar nga persekutimi i djeshëm komunist; në kushtet kur historiografie jonë ende nuk e ka rehabilituar imazhin e tyre të deklasuar gjatë diktaturës; në kushtet kur shteti shqiptar nuk ka dënuar me ligj krimet e Komunizmit dhe ende mban në fuqi dekoratat e titujt e diktatorit Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorëve të tij; në kushtet kur fajtorët, torturuesit dhe xhelatët e djeshëm janë në karrierë e poste të larta shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë; në kushtet kur mijëra familje ende nuk kanë gjetur eshtrat e të dashurve të tyre të pushkatuar nga komunizmi, – shfaqja e pakontrolluar e filmave propagandistikë të diktaturës, përveçse provokim i rëndë, përbën edhe një gjest lëndues, amoral e përçarës. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes si shoqëri rivrasjen, ripenalizimin dhe rideklasimin e të njëjtës shtresë, e cila gjatë diktaturës ishte e pambrojtur dhe përsëri sot gjendet e pambrojtur.
  3. Një problem të thellë në lidhje me të shkuarën përbën transmetimi i pakontrolluar i këtyre filamave dhe dokumntarëve për brezin e ri. “Parasjsat romantike” të idileve komuniste që përcjellin këto filma e kredhin në konfuzion brezin e nxënësve e gjimnazistëve, siç kemi vërejtur ne me specialistët tanë, gjatë ëorkshope-ve që zhvillojmë këtë vit. Prandaj, theksojmë, se, në kushtet e një zbrazëtire të plotë në kurrikulat shkollore, në të cilat brezi i ri nuk informohet, që pas luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos një nga rregjimet komuniste më kriminale, që vrau, burgosi, internoi e përndoqi qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, që përgjatë gjysmë shekulli makina sfilitëse e “Luftës së klasave” dhe “biografisë së keqe” e shfytyroi shoqërinë tonë, e izoloi dhe e zhyti në një errësirë e prapambetje mesjetare, – shfaqja bombarduese e filmave propagandistikë të komunizmit shtron rrugën e manipulimit të tyre me standarde të dyfishta e kontradiktore për vlerat e demokracisë dhe qytetërimit europian ku pretendojmë t’i orientojmë. Pra, njëra e përjashton tjetrën në mënyrë të ndërsjelltë.
  4. Duke qenë e gjithëpranuar, se filmat dhe dokumentarët kalonin në filtrin e censurës në KQ të PPSH dhe se ato i shërbënin ideologjisë komuniste me shtrembërime e falsifikime faktesh, ato, së paku një pjesë shqetësuese e tyre, rrjedhimisht, nuk mund të kenë asnjë karakter edukues, përpos propagandës përçarëse e denigruese, si zgjatime të natyrshme të ideologjisë komuniste. Nisur nga sa ju parashtruam më sipër, ISKK, si instrument i Parlamentit shqiptar, bazuar në detyrat e përcaktuara nga ligji, kërkon vëmendjen tuaj për një qasje e rregullim ligjor të produkteve kinematografike të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me qëllim mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të shtresës më të goditur nga rregjimi represiv komunist, të brezit të ri shkollor dhe në përgjithësi, stë hëndetit mendor publik, të ekspozuar nga bombardimi me propagandën që përcjellin këto filma. Ne mendojmë se koncepti i lirisë në rendin tonë demokratik, nuk duhet të kthehet në xhungël dhe se e drejta e njërit, nuk duhet të ndërhyjë e të lëndojë të drejtën e tjetrit.

Të shqetësuar nga kjo gjendje intolerante të një pjese filmash e dokumentarësh që fyejnë e denigrojnë ndjeshmëri të gjëra popullate, ISKK sugjeron që për filmat apo dokumentarët që përmbajnë propagandë, e cila bie ndesh me Kushtetutën dhe parimet demakratike të lirisë që mbron kjo Kushtetutë, të veprojë në analogji me vendet ish-komuniste të Europës, anëtare të BE.

Ne nuk jemi për ndalimin, censurimin apo zhdukjen e filmave të kohës së komunizmit. Ato mund të shërbejnë për studime. Ato mund të shfaqen në një orë të caktuar me një paralajmërim, p.sh., “Kujdes, ky film përmban aspekte propagandistike të kohës së komunizmit”, mund të shoqërohen me një logo, p.sh: “PPSH”, gjatë gjithë kohës së transmetimit, ndërsa për filmat që kanë një shkallë të lartë propagande denigruese e përçarëse, ato duhet të ndalohen nga ekranet, njëlloj siç ndalohen transmetimet e filmave propagandistikë të diktaturave naziste e komuniste në gjithë Europën.

Kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht Komisioni i Mediave dhe Edukimit, mund të kërkojë nga AMA respektimin e të drejtave kushtetuese që kanë qytetarët shqiptarë, si i vetmi filtër garantues për ndalimin e propagandës komunsiste sot, në pikun e patosit dhe retorikës sonë për integrim në BE.

Duke ju shprehur respektin tonë të palëkundur, Në emër të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

Drejtori Ekzekutiv Agron TUFA