Aktualitet Tundimi nga ISIS mbetet një sfidë për Kosovën, paralajmëron raporti

Tundimi nga ISIS mbetet një sfidë për Kosovën, paralajmëron raporti

Një raport i ri, “Dekonstruktimi i Narrativës së Shtetit Islamik në Kosovë, një histori pas tjetrës”, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS, thotë se Kosova ka shumë për të bërë nëse do të kundërshtojë thirrjen e Shtetit Islamik për qytetarët e Kosovës.

Duke parë komunat që kanë qenë më të prekura nga radikalizimi, QKSS thotë se pretendimet e pabaza, injoranca dhe mungesa e të menduarit kritik janë ndër faktorët përcaktues që e kanë bërë narrativën e ISIS-it tërheqëse ndaj të rinjve të Kosovës.

Hulumtimi i QKSS-së u përqendrua në analizën e ngushtë të leksioneve dhe predikimeve të pesë imamëve tepër të diskutuar në Kosovë të cilët janë ndaluar nën dyshimin se kanë ndihmuar dhe inkurajuar përpjekjet e ISIS për rekrutime në Kosovë.

“Edhe pse këto leksione nuk u bëjnë thirrje në mënyrë të qartë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen organizatave terroriste – me përjashtim të atyre të bëra nga Zeqirja Qazimi, të cilat inkurajonin mbështetjen e ISIS – ato mbështesin një ringjallje në identitetin mysliman të Kosovës,” thuhet në raport.

Qazimi u arrestua në qershor 2014 ndërsa fshihej në pyll, sipas një raporti të policisë.

Ai u akuzua se kishe bërë xhihadin temën kryesore në predikimet e tij. Ai u akuzua gjithashtu se ishte udhëheqës i luftëtarit famëkeq të ISIS nga Kosova Lavdrim Muhaxheri i cili u raportua se u vra në janar të vitit 2007 dhe që duket se ka qenë gjithashtu tepër i rëndësishëm për të frymëzuar luftëtarët e huaj.

Raporti mbështetet gjithashtu në katër intervista me ish-luftëtarë të huaj nga Kosova, përfshirë ata që janë aktualisht në paraburgim.

Ai citon se nuk ka asnjë dyshim se të paktën disa nga njerëzit që iu bashkuan ISIS-it në Siri dhe Irak besohet se po ndiqnin thirrjen për të luftuar në një luftë të shenjtë në Siri, duke shpjeguar se për vite me radhë, nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejt personal, imamë vendas punuan për indoktrinimin e tyre, duke inkurajuar përbuzje për shtetin laik.

Studimi zbulon se gratë e të pandehurve shpesh duket se kanë inkurajuar bashkëshortët e tyre që të shkojnë në Siri dhe më pas u janë bashkuar atyre.

Studimi i QKSS zbuloi se rekrutuesit e ISIS dhe ekstremistët e dhunshëm përdorin shumë Facebookun dhe YouTube si platformë për të përhapur propagandën e tyre.

“Me gati gjysmën e popullsisë të Kosovës në Facebook, qytetarët e Kosovës mund të kenë qasje në faqe të shumta në Facebook, të mbyllura dhe të hapura, të cilat shpërndajnë propagandë të ISIS-it,” thekson raporti.

QKSS e mbyll me një listë palësh të interesuara që duhet të jenë të rëndësishëm në prodhimin e një kundër-narrative efikase.

“Liderët kryesorë institucional të Kosovës duhet të bëjnë një përpjekje të përbashkët për të arritur në fshatra dhe qytete në vizita të përjavshme për të shpjeguar angazhimin e Kosovës për krijimin e një shteti laik, duke zhvilluar një debat gjithëpërfshirës mbi atë që është kundërlaicizmi, me theks të veçantë në angazhimin e saj për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha besimet dhe për të garantuar liri adhurimi – dhe të angazhohet me publikun për këto çështje,” sugjeron raporti.

Sipas QKSS, qeveria duhet të emërojë gjithashtu një të dërguar që do të arrijë tek komunitetet e cenueshme për t’i komunikuar nevojat e tyre autoriteteve dhe t’i shpjegojë atyre qëllimet e politikës së jashtme të Kosovës, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke punuar bashkë me shoqërinë civile për të ndihmuar në identifikimin e ish-luftëtarëve të ISIS dhe të financojë një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit të medias që e lufton çdo shtresë të narrativës së ISIS me fakte.

QKSS rekomandon liderët e Bashkësisë Islame të Kosovës, BIK, të rrisin përpjekjet për të kundërshtuar interpretimet fetare në narrativën e ISIS dhe të delegjitimizojnë zëdhënësit e organizatës.

Raporti sugjeron gjithashtu se shoqëria civile mund të luajë një rol kyç “si lojtari më i besueshëm dhe në thelb ndërmjetësi midis simpatizantëve të ISIS, komuniteteve të pambrojtura dhe publikut të gjerë”.

“Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë duhet të krijojnë urgjentisht një koalicion apo një organizatë ombrellë për të parandaluar mbivendosjen dhe për të dyfishuar përpjekjet e tyre,” përfundon raporti.