Ekonomi Turizmi në kufijtë e mbijetesës/ Qeverive në gjithë botën u kërkohet ndihmë...

Turizmi në kufijtë e mbijetesës/ Qeverive në gjithë botën u kërkohet ndihmë urgjente

Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar të gjitha qeverive në mbarë globin, Këshilli Botëror i Turizmit kërkon masa të menjëhershme, pasi ky sektor është në kufijtë e mbijetesës.

Duke ju referuar shqetësimeve të evidentuara në letër, këshilli vëren sektori i udhëtimit dhe ai i turizmit vlerëson se 50 milion vende pune janë aktualisht në rrezik, ndaj ata kërkojnë masa urgjente, siç janë ndihma financiare si dhe kredi pa interes.

“Jo shpejt. Jo në pak javë. TANI. Çdo vonesë do të kushtojë në miliona punë të humbura dhe dëme pothuajse të pallogaritshme në të gjithë botën. Së pari, ndihma financiare duhet të jepet për të mbrojtur të ardhurat e miliona punëtorëve në sektor që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Së dyti, qeveritë duhet të japin kredi jetike, të pakufizuar pa interes për kompanitë globale të udhëtimit dhe turizmit për të parandaluar shkatërrimin e tyre. Së treti, të gjitha taksat, detyrimet dhe kërkesat financiare të sektorit të udhëtimit duhet të hiqen me efekt të menjëhershëm të paktën për 12 muajt e ardhshëm”.

Udhëtimi mbetet një nga shtylla kryesore ekonomike në botë. Një në 5 vende pune krijohet në turizëm ndaj dhe operatorët e tregut kërkojnë  stimuj realë për të mbijetuar.

“Ne kërkojmë që çdo qeveri të ndërmarrë një veprim drastik dhe vendimtar tani për të ruajtur dhe mbrojtur kontributin e sektorit të udhëtimit dhe turizmit, nga i cili varen më shumë se 320 milion njerëz dhe familjet për jetesën e tyre”.

Prej rreth dy javësh i gjithë sektori i fluturimeve është në paralizë totale në Europë. Ndërkohë që janë ndaluar fluturimet për dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak frikës së përhapjes së koronavirusit.