Ekonomi Turizmi në Shqipëri, po ikin nordikët e polakët, vijnë gjermanët

Turizmi në Shqipëri, po ikin nordikët e polakët, vijnë gjermanët

Ndërsa 2018-a ishte viti më i mirë historik për turizmin shqiptar, ekspertët janë skeptikë nëse ky sukses do të përsëritet edhe këtë vit. Turistët e parë, ata polakë kanë reduktuar prenotimet, nordikët kanë vënë kushte deri në 2020-n, shtetasit nga Kosova dha një sinjale se taksa e rrugës së Kombit do frenojnë hyrjet. Shpresa këtë vit te anglezët, çekët, ukrainasit, zviceranët, hungarezët. Risi këtë vit janë dhe gjermanët

Operatorët e sektorit të turizmit dhe ekspertët bien dakord se 2018 duhet të kurorëzohet si viti më i mirë i turizmit në vend. Sipas raportit të fundit të INSTAT, në total, për 11-mujorin, Shqipërinë e vizituan 5.6 milionë turistë, me rritje 16.2% me bazë vjetore. Në këtë periudhë, shtetasit nga Kosova zinin peshën kryesore, me 36%, ose rreth 2 milionë persona, të cilët janë turistë sidomos në zonën e Durrësit, destinacioni kryesor i tyre. Në vend të dytë, maqedonasit, me 640 mijë hyrje, ose 11.3% të totalit.

Të tretët, renditen grekët, me 498 mijë hyrje, ose 8.8% të totalit. Italianët janë në vend të katërt, me 408 mijë hyrje ose 7.2% të totalit. Pas tyre, malazezët, me 330 mijë hyrje, ose gati 6% të totalit. Në 11-mujorin e 2018-s, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, 34,5%. INSTAT shton se 2.7 milionë të huaj kanë ardhur për turizëm në 11-mujorin e vitit 2018, ose rreth 48% e totalit, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Te kontingjenti i turistëve që vizituan vendin gjatë 2018-s mbizotëronte ai me shpenzime të ulëta”, pohon Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit. Numri i turistëve të huaj që po e vizitojnë Shqipërinë është rritur, por sipas z. Topuzi, duhet pasur në konsideratë se ata nuk janë turistë elitarë, që shpenzojnë në mënyrë domethënëse. Turisti që po vjen sot është ai me çanta shpine që parapëlqen hostel apo çadra, si dhe turisti i mesëm europian. Z. Topuzi shpjegon se duke ditur këtë, edhe strategjitë e turizmit, si dhe qasja e ofertës vendase duhet të jenë në përputhje me kërkesën.
Ende pas kaq shumë vitesh dhe nismash, qeveritë po ecin pa strategji, nuk po bëhet kategorizim i strukturave, nuk po ndërhyhet në infrastrukturë aty ku duhet, duke e lënë turizmin të mbetet peng i çmimeve të ulëta.

Viti 2018, sipas tij, pati një sezon të mbarë dhe kjo vjen ngaqë trendi rajonal ka një rritje nga 5.4 që raportohet nga Kroacia deri në 7-8% në të gjithë zonën tjetër. Si rezultat i situatës pozitive në Ballkan, Shqipëria mund të përfshihet në këtë lëvizje turistike. “Ka rritje dyshifrore të turistëve nga vendet e Europës Qendrore dhe zonat skandinave, ashtu siç ka edhe një rritje të turistëve nga zona e ish-Lindjes, por nuk duhet të harrojmë që kontingjenti kryesor do të mbeten Kosova, Maqedonia dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Pavarësisht se ky trend i turistëve europianë vjen në rritje, nuk do të ndikojnë shumë”, – thotë z. Topuzi.

Tregu rajonal është më i rëndësishëm, thekson ai. “Zonat kryesore të Golemit, që historikisht kanë qenë akomodim për kosovarët, duke qenë se kanë bërë rikonstruksione dhe përmirësime, kanë kaluar në një stad më të lartë. Tani ato po shiten me paketa më të shtrenjta për këtë lloj turisti europian”.
“Mendoj se i njëjti trend rritjeje do të jetë për vitin 2019, pra një rritje në kufijtë 15%. Kjo kërkon vëmendje karshi një tregu të ri, i cili nuk ka kërkesa si tregu europian, por është shumë delikat e mund të largohet në rajon po të jetë se defektet e vërejtura gjatë sezonit 2017 nuk riparohen në kohë. Ne nuk kemi përvojë ndaj shërbimit “All Inclusive”, ndaj investimet në hotelet me pesë yje do të ndihmojnë në tërheqjen e një target-grupi që siguron të ardhura e punësim të lartë. Ulja e TVSh ju dha frymëmarrje njësive akomoduese të përdorin në sezon diversitet çmimesh apo çmime shitje ‘last minute’, pasi u ulën ndjeshëm kostot fikse”, – shton z. Topuzi.

OBT raporton që deri në vitin 2030, numri i turistëve në zonën e Mesdheut do të dyfishohet, gjë për të cilën mendohet se do të ndikohet edhe turizmi ynë. Në lidhje me çmimet në 2019, ai thotë se gjatë raportimeve të sezonit të kaluar nga Kroacia në Mal të Zi, ato janë rritur me 5-10%. Si pasojë, edhe në Shqipëri të shohim rritje të çmimeve në 2019. “Situata me flukset e turizmit ka bërë që pjesa e Golemit, që ka qenë për turizmin masiv, të kthehet në një zonë për turizmin e mesëm dhe pak elitar. Nga turistët vendas dhe kosovarë po bëhet një turizëm ditor, sepse ky është kapaciteti”, – thotë ai.

Shqipëria nuk ka kapacitete për të mbajtur një numër më të madh turistësh sesa ky që kemi sot. Në lidhje me infrastrukturën, ai thekson se duhet bërë ende shumë punë nga pushteti vendor dhe lokal dhe duhet hequr dorë nga rikonstruksioni i rrugëve në pikun e sezonit.

Polakët dhe nordikët priten në ulje
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menaxher i Happy Tours, thotë për “Monitor” se 2019 e presin të jetë një vit i mirë me disa reduktime numrash nga dy operatorë të huaj. Këto reduktime sigurisht që do të plotësohen me operatorë të rinj. “Më pak rezervime ka konfirmuar Tui nga Polonia si dhe vendet nordike, por në total vlerësojmë se kërkesat do të jenë në një trend të qëndrueshëm. Kjo sepse është futur një kompani zvicerane, por edhe disa kompani të vogla hungareze dhe ukrainase që do të balancojnë pjesën e munguar”, – shton z. Kasa.

Sa i përket një parashikimi për 2019, ai shprehet me nota pozitive. “Mendojmë që në vitin 2019 do të jemi në nivelin e vitit 2018 për nga numri i vizitorëve ose një rritje më e moderuar, pra nuk mund të pretendojmë rritjen 25% në 2018. Kemi vënë re një tendencë të rritjes së turizmit kulturor. Ky lloj turizmi vjen si kërkesë kryesisht nga grupe franceze që vijnë si pjesë e tureve rajonale, pra jo me destinacion direkt Shqipërinë. Risi për 2019 do të jetë tregu gjerman që është futur nëpërmjet një grupi të madh që njihet si ‘Der Turistik Group’, që do të jetë i pranishëm në Durrës dhe Sarandë me rezervime. Ky grup do të sjellë edhe turistë nga Anglia dhe Zvicra, pasi është operator i madh dhe menaxhon 7 milionë turistë në sezon”, – thotë për “Monitor” z. Kasa.

Ai i cilëson si grupi i dytë më i madh pas Tui-t. Çekët, nga ana tjetër, që kanë vizituar vendin tonë tre vitet e fundit do të jenë edhe në sezonin e 2019-s. “Ne presim që kësaj rritjeje në turizëm t’i përgjigjet edhe qeveria me ndërhyrjet e saj dhe të përmirësohen gjëra. Kontratat afatgjata nuk janë dhe aq të preferuara për momentin, sepse ne mendojmë që me përmirësimin e kushteve të ndryshojë edhe përfitimi që kemi nga këto kontrata. Nëse kushtet përmirësohen, sigurisht që ofertat do të kenë një çmim më të mirë, kurse kur janë afatgjata, çmimi është standard dhe nuk mundesh ta ndryshosh pavarësisht nëse ndryshojnë kushtet.”- argumenton z. Kasa.

Konkurrencë nga Tunizia dhe Egjipti
Kreu i Unionit Turistik Shqiptar shprehet më tej se rritja e moderuar në 2019 do të vijë për shkak të hapjes së tregjeve të reja si Egjipti dhe Tunizia, por edhe zhgënjimeve që mund të kenë pasur turistët nga përvojat e tyre në vendin tonë. “Ne duhet të zgjerojmë mundësitë për të eksploruar bregdetin, duke mos mbetur vetëm te Durrësi apo Shëngjini. Vlora është një destinacion për të cilin ka interes, por kategoria e turistëve që vjen nga disa vende nuk do të udhëtojë gjatë. Nëse do të mbyllej bypass për sezonin 2020 do të ishte shumë mirë. Këtu duhet të marrë vëmendje edhe plani i aeroportit, i cili nëse do të realizohet, do të ishte shumë mirë”- thotë ai.

Edhe z. Kasa shprehet për 2018 si “më i miri që kemi pasur në turizëm”. “Problematika ka shumë dhe duhet të bëhen investime me hapa më të shpejtë. Marr si shembull Golemin. U bë rruga, por u lanë trotuaret shumë keq, puseta të hapura, grumbuj dheu, pra një zonë turistike e parehabilituar. Kjo nuk është pritshmëria e turistëve kur dalin jashtë hotelit. Të gjitha këto nuk duhet të ekzistojnë sot, pasi turizmi elitar i sheh si absurditet”, – përfundon ai./Monitor