Kuriozitete Turizmi vullkanik, një fenomen i ri shqetësues

Turizmi vullkanik, një fenomen i ri shqetësues

Turistët në kërkim të adrenalinës po rrezikojnë veten dhe po pengojnë shërbimet e emergjencave duke iu drejtuar vullkaneve kur ata shpërthejnë.

Një raport nga shoqëria mbretërore gjeografike paralajmëron për rreziqet në rritje të shkaktuara nga turizmi vullkanik. Autoritetet e emergjencave në vende si islanda, tani po përballen edhe me fluksin e turistëve që derdhen atje për të parë nga afër një shpërthim vullkani. Studimi thotë se turistë të tillë nuk e kuptojnë seriozitetin e rrezikut.

Studimi i shkruar nga gjeografja e Universitetit të Kembrixhit, Amy Donovan, paralajmëron se vizitorë të tillë mund të krijojë probleme të konsiderueshme për shërbimet e shpëtimit. Fenomeni i turizmit vullkanik ka bërë që mijëra njerëz të përpiqen t’i afrohen zonave ku ndodhen vullkane në shpërthim për eksperienca fizike të shikimit, dëgjimit dhe ndijimit të nxehtësisë së një spektakli të tillë natyror.

Donovan thotë se këta njerëz tërhiqen nga elementi i fuqisë së vullkaneve dhe intensiteti i eksperiencës: “Mund ta ndjesh gazin, të dëgjosh shpërthimin që vjen nga zemra e tokës. Ata duan të afrohen për të ndjerë fuqinë e tokës”.

Në skajin ekstrem, ajo thotë se ka nga ata që mund të quhen vullkanofilë që ndjekin vullkanët në të gjithë botën. Intensifikimi i turizmit vullkanik mund të vijë edhe si pasojë e rritjes së përdorimit të smartfonëve, me njerëzit që duan të regjistrojnë veten në një panoramë të tillë dramatike.

Por ata nuk e kuptojnë rrezikin me të cilin përballen. Ka të lënduar mes këtyre njerëzve që goditen nga shkëmbinj apo bomba llave, ndërkohë që shumëkush nuk e kupton se mund të ketë edhe gazra helmues.