Kulturë Turneu “Future Nostalgia” i Dua Lipës konfirmon se ajo është ylli më...

Turneu “Future Nostalgia” i Dua Lipës konfirmon se ajo është ylli më i mirë i popit në Britani

Nga Mark Savage – BBC

“Kjo është mirëpritja më e mirë në shtëpi ndonjëherë”, thotë Dua Lipa, në shfaqjen e parë në Mbretërinë e Bashkuar të turneut të saj botëror, “Future Nostalgia World”.

“Kemi pritur kaq shumë, kaq gjatë për këtë turne. E kemi zhvendosur dhe shtyrë dhe më në fund jemi këtu”.

Disa momente më parë, 26-vjeçarja kishte ecur në pasarelën e skenës së saj të madhe, duke ngritur ngadalë duart në ajër teksa ndiente adhurimin e 21,000 fansave që prisnin dy vjet për ta parë atë në AO Arena të Mançesterit.

Ky nuk ishte thjesht një koncert pop – ishte një ribashkim.

12 koreografet e shfaqjes u prezantuan në një videoklip të frymëzuar nga vitet ’80

Për kontekstin, duhet të kthehemi pak prapa. Turneu “Future Nostalgia” u njoftua për herë të parë në dhjetor 2019, që kur u raportua për një virus, potencialisht vdekjeprurës nga Kina.

Në kohën kur albumi i dytë i Duas (i titulluar gjithashtu Future Nostalgia) mbërriti marsin e kaluar, bota ishte në izolim dhe turneu ngeli pezull.

Këngëtarja do të ndihej në faj për publikimin e një albumi optimist, ndërsa njerëzit po vuanin.

“Nuk jam e sigurt nëse po bëj gjënë e duhur”, do t’u thoshte ajo fansave në Instagram e përlotur, “por mendoj se gjëja që na duhet më shumë për momentin është muzika, dhe ne kemi nevojë për gëzim dhe duhet të përpiqeni të shihni dritën”.

Instinktet e saj ishin të drejta

Në vend që të na kujtonte atë që kishim humbur, albumi na dërgoi përpara në një kohë kur ne do të ishim të shtrënguar përsëri me njëri-tjetrin, duke kënduar këto këngë në unison. Ose, për të përdorur fjalët e vetë Duas, ajo kishte një “parandjenjë se muzika nuk ndalet” – dhe “Future Nostalgia” u bë albumi më i transmetuar i 2020-ës.

Megjithatë, kufizimet e Covid bënë ‘kërdi’ me turneun e saj. Ai u shty dhe u riplanifikua tri herë, duke e detyruar Duan të gjente mënyra për ta mbajtur gjallë muzikën e saj – një album remix, u bë më e pranishme në livestream, dhe me këngë të reja, duke përfshirë duetin me Elton John, Cold Heart, i cili është në krye të listës.

Gjatë gjithë kohës, pritjet për koncertet u rritën dhe zhurma që përshëndeti yllin të premten mbrëma ishte një përzierje mes kënaqësisë dhe lehtësimit.

Dua e hapi shfaqjen me muzikë klasike të viteve 1980.

Ajo që në nisje e elektrizoi skenën dhe nivelet e energjisë, mezi u ulën për 40 minutat e ardhshme, ndërsa ylli shpërtheu me këngët e saj më të mëdha – New Rules, Break My Heart, Love Again, Be The One – e rrethuar nga 12 kërcimtarë të pashtershëm.

Inskenimi ishte i frenuar këndshëm për një shfaqje pop, duke e çuar fokusin në vokalin mbresëlënës të Duas dhe duke i lejuar grupit të zgjeronte këngët e saj për ndikim maksimal në pistën e vallëzimit.

‘Break My Heart’ u kompletua me Justice’s Dance, ndërsa Hallucinate u zbukurua me elementë të Daft Punk’s Technologic. Edhe balada e fuqizimit të femrave, ‘Boys Will Be Boys’, u përfshi në një remix të zhurmshëm.

Është një truk që Dua e ka huazuar nga Madonna – duke e vendosur muzikën e saj direkt në kanunin e popit – duke i bërë homazhe në të njëjtën kohë me pohimin e dominimit të saj.

Koreografia ishte po aq e zgjuar, duke u mbështetur në dekada të historisë së kërcimit. Koreografi Charm La’Donna, i cili punoi në shfaqjen e këtij viti të pjesës së parë të “Super Bowl”-it, u përpoq me rutinat e karriges së Bob Fosse gjatë Halucinate dhe solli atmosferën e New York Warehouse në hitin “Electricity”.

Dua Lipa fitoi albumin më të mirë dhe artisten më të mirë femër në Brit Award 2021

Por goditja mjeshtërore erdhi drejt fundit, kur Dua rikrijoi lëvizjen e famshme të sikletshme, me lëvizje të kofshës që lançoi një meme “Dua nuk mund të kërcejë” në 2019.

Këtë herë, ajo i dha më shumë bujë, duke dëshmuar se e ka rafinuar skenën e saj.

Por turneu Future Nostalgia nuk është krijuar vetëm për argëtim. Bëhet fjalë për kulmin e karrierës kur Dua Lipa u shfaq si një yll i popit.

Që nga viti 2019, ajo është shndërruar në një interpretuese komanduese, me vetëbesim, e cila mund të hedhë rastësisht një hit gjigant si ‘New Rules’, e sigurt në dijeninë që ajo ka një duzinë këngë të tjera që publiku i njeh po aq mirë.

Dua Lipa e mbuluar me kristale

Për finalen e së premtes, ajo u shfaq me një kostum xhaketë Thierry Mugler, të qepur me 120,000 kristale që e shndërruan atë në një top vezullues, teksa ‘notonte’ mbi audiencën duke kënduar Levitating.

Jo për herë të parë, fansat e ‘mbytën’ atë… thuajse sikur e kishin kaluar izolimin dhe më në fund po merrnin mundësinë të jetonin fantazinë e tyre. Të njëjtën gjë po e përjetonte edhe Dua në skenë.