Ekonomi Turqia i zë vendin Italisë, në 2022-shin bëhet partneri kryesor i importit...

Turqia i zë vendin Italisë, në 2022-shin bëhet partneri kryesor i importit në vend

Kriza e çmimeve padiskutim që ka dhënë efekt në shumë aspekte të ekonomisë, dhe një ndër to është edhe tregtia e jashtme. Me të dhënat e plota tashmë publike për vitin e kaluar, kemi mundësinë të shohim një panoramë të plotë të një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit gjatë vitit të kaluar. “Scan Intel” ka analizuar gjeografinë e importeve në Shqipëri gjatë 2022-shit për të kuptuar se si ka ndryshuar gjeografia e tyre krahasuar me vitin pararendës, por edhe me 5 vitet e fundit.

Për faktin se rritja e çmimeve ka deformuar ndjeshëm çmimet, analizën kryesore do ta bëjmë të fokusuar të shifrat në peshë dhe jo në vlerë, pra të volumeve tregtare sipas secilit shtet.

Ajo që bie në sy qysh në krye të herës është fakti se kemi një rrokadë në krye të klasifikimit. Turqia është kthyer kështu gjatë vitit 2022 në partnerin tonë më të madh në importe, duke zbritur Italinë në vend të dytë, sa i përket importeve në peshë. Thuajse një në pesë produkte importi në Shqipëri gjatë vitit 2022 ka ardhur nga Turqia. Kjo e fundit zë 21% të totalit të importeve në vend. Në vend të dytë ndjek Italia, me vetëm 12%.

Ndërkohë në vitin 2021, Italia mbante vendin e parë, me 16%, ndjekur nga Turqia me 13% dhe Greqia me 11%. Kjo e fundit ndërkohë, edhe për 2022-shin zë vendin e tretë, me 9% të totalit, duke tkurrur kështu disi peshën. Në renditje ndjek Arabia Saudite, me 5% të totalit. Vitin pararendës, ky shtet renditej në vend të 9-të. Ndërkohë, 3 shtetet e rajonit, Serbia, me 5%, Maqedonia e Veriut me 4% dhe Kosova me 3%, zënë vendin e 5-të, të 6-të dhe të 7-të respektivisht.

Rusia, Spanja dhe Kina mbyllin “Top 10”-shën e partnerëve tanë kryesorë tregtarë për vitin 2020 në drejtim të importeve, shprehur në peshë. Këto 10 shtete përfaqësojnë plot 68% të totalit të importeve të Shqipërisë. Si pasojë e sanksioneve pas konfliktit në Ukrainë vëmë re se Rusia ka humbur ndjeshëm pozicione, por vijon të qëndrojë në “Top 10”-ëshe. Kina dhe Spanja ndërkohë kanë nxjerrë nga lista Libinë dhe Gjermaninë. Kjo e fundit ka zbritur në vend të 11-të, me vetëm 3% të importeve në vendin tonë. Të paktën gjatë 5 viteve të fundit të marra në analizë nga “Scan Intel” asnjëherë më parë Turqia nuk është renditur në vend të parë. Në vitin 2021 ishte në vend të 2-të, në vitet 2020-2019 në vend të 3-të dhe në vitin 2018-të në vend të 4-tët.

Nga ana tjetër, shifrat sinjalizojnë gjithashtu se, kriza e çmimeve ka zhbërë disi hegjemoninë e partnerëve më të mëdhenj tregtarë në import në vendin tonë. Gjatë viteve 2018-2020, 10 vendet kryesore importuese në vlerë përfaqësonin 72% të totalit, ndërsa në 2022-shin, norma ka zbritur pranë 68%. Rritja e çmimeve ka detyruar importuesit të kërkojnë tregje alternative, më konkurruese.

Në rast se këtë analizë do ta bënim duke i parë shifrat në vlerë dhe jo në peshë, vëmë re se, Italia vijon të qëndrojë në vend të parë, me 21.7% të totalit, nga 24.3% që përfaqësonte në vitin 2021, kur mbante sërish vendin e parë. Po në vlerë, në vend të dytë ndjek Turqia dhe më pas Kina. Greqia, Gjermania, Arabia Saudite, Serbia, Zvicra, Polonia dhe Kosova mbyllin 10 vendet e para. Gjatë 2021-shit në këtë listë ishin të përfaqësuara edhe Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Maqedonia e Veriut./Scan