Bota Turqia përparon në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19

Turqia përparon në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19

Ministri turk i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank, tha se Turqia ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në projektet e zhvillimit të vaksinave për të luftuar përhapjen e koronavirusit, duke përcaktuar qasje inovative për të marrë rezultate të shpejta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk Varank u shpreh se në kuadër të Platformës COVID-19, aktualisht po zhvillohen 7 projekte vaksinash dhe 7 projekte të zhvillimit të ilaçeve duke përdorur metoda kimike dhe bioteknologjike.

Si pjesë e përpjekjeve zyrtare për të frenuar përhapjen e koronavirusit, qeveria turke po ofron mbështetje për institucionet dhe studiuesit në vend që punojnë për të gjetur vaksinat.

“Sa më shumë që do të mund ta bëjmë lakoren e sëmundjes më të rrafshtë, aq më të mëdha janë shanset që zgjidhjet shkencore të vijnë në zbatim”, tha Varank.

Sipas të dhënave të autoriteteve, në Turqi janë regjistruar 277 raste të vdekjeve nga COVID-19, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 15.679.