Opinione Turqia-Rusi/ A po lind një konflikt i ri?

Turqia-Rusi/ A po lind një konflikt i ri?

Nga Florion Metohu

Lajmet e fundit që vijnë nga rajoni i Idbil-t të Sirisë janë shumë shqetësuese për sa i përket të gjithë rajonit të Lindjes së Mesme por edhe më gjerë. Vetëm ditën e enjte 27 shkurt, nga bombardimet e ushtrisë siriane të mbështetur nga Rusia, janë vrarë 33 ushtar turq dhe 32 të plagosur, të cilët ndodhen në Idbil në bazë të marrëveshjes së Soçit të tetorit të vitit të kaluar ndërmjet Putin dhe Erdogan. Numri i ushtarëve turq të vdekur vetëm në muajin shkurt ka shkuar në 54.

Rusia fajësoi Ankaranë për viktimat e të enjtes me pretendimin se ushtarët ishin pozicionuar në një territor ku nuk duhet të qëndronin dhe se Turqia nuk i kishte lajmëruar rusët më parë për vendndodhjen e tyre. Ndërkohë Erdogan përsëriti të mërkurën ultimatumin për ushtrinë siriane, e cila nëse nuk tërhiqej nga Idbili deri në fund të shkurtit do të ketë një sulm frontal nga ana e ushtrisë turke. Por duket se kjo nuk po i frikëson trupat e Bashar Al-Asad të cilat, me sa duket kanë marrë bekimit e plotë të Moskës për të vënë nën kontroll të gjithë territorin e Sirisë.

Ministria e mbrojtjes ruse deklaroi të premten 28 shkurt se do dërgonte dy anije luftarake të pajisura me raketa kruiz të tipit Kalibr në brigjet e Sirisë, ndërsa televizioni shtetëror rus akuzoi ushtrinë turke se kishte shënjestruar avionët ushtarak rus me sisteme anti–ajrore. Gjithashtu, Vladimir Dzhabarov i cili mban postin e zv. Kryetarit të Komisionit për marrëdhëniet ndërkombëtare e Dhomes së lartë të parlamentit rus, deklaroi po të premten se çdo ofensivë ushtarake do përfundoi shumë keq për Turqinë.

Nga ana e saj Ankaraja kërkoi mbledhjen urgjente të ambasadorëve të NATO-s të premten 28 shkurt në bazë të nenit 4 të traktatit të aleancës, i cili parashikon që secili prej anëtarëve mund të kërkoj konsultime nëse gjykon që integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria është në rrezik. Nga ana tjetër, një zyrtar deklaroi se Turqia, e cila strehon më shumë se 3.7 milion refugjat sirian, nuk do e zbatoi më marrëveshjen e vitit 2016 me BE-n, për të penguar refugjatët të shkonin Europë, duke e bërë situatën edhe më eksplozive.

Por si arriti Turqia ta fusë veten në një cep me shumë pak rrugëdalje në favorin e saj?

Në nëntor të vitit 2015, pasi Turqia rrëzoi një avion luftarak rus sepse kishte shkelur hapësirën ajrore turke, marrëdhëniet Ankara–Moskë kapën nivelin më të ulët që prej përfundimit të luftës së ftohtë. Por kur presidenti Erdogan kërkoi falje për këtë ngjarje, disa muaj më vonë, marrëdhëniet midis dy shteteve njohën një përmirësim të konsiderueshëm, deri në pikën sa disa zyrtar turq e konsideruan strategjik.

Sigurisht që kishte një llogjikë ekonomike në dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. Moska ishte një nga partneret kryesore tregtare. Volumi i shkëmbimeve tregtare midis dy vëndeve arriti në 26,3 miliard $ në vitin 2019. Po ashtu, projektet energjitike zënë një vend shumë të rëndësishëm në këto marrëdhënie. Rusia është një nga furnizuesit kryesor të produkteve hidrokarbure dhe me inaugurimin e gazsjellësit TurkishStream në 8 janar të këtij viti, si dhe ndërtimin e centralit të parë bërthamor në turqi nga rusët, varësia e Turqisë kundrejt Moskës sa vjen dhe rritet.

Por faktor shumë i rëndësishëm në rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë ishte roli i kësaj të fundit në Siri. Duke patur si objektiv kryesor pengimin e krijimit të një zone autonome nga separatistës Kurd të PKK-s, Ankaraja nuk kishte se si të evitonte një bashkëpunim me ata që janë mbështetësit dhe garantët e pushtetit të Bashar AL-Asad. Pikërisht ky objektiv u shtrytëzua më së miri nga Rusia për të joshur Turqin dhe për të krijuar tension ndërmjet saj dhe partnerëve perëndimor

Kremlini e joshi Turqinë duke i krijuar iluzionin e faktorizimit në krizën siriane. Në këtë drejtim ajo rikonfirmoj marrëveshjen e Adana-s të vitit 1998 midis Turqisë dhe Sirisë që i lejonte Ankarasë të futej në territorin Sirian për të luftuar forcat separatist kurde. Gjithashtu u krijua formati trilateral, Moskë – Ankara – Teheran dhe nisjes së procesit të paqes në Astana të Kazakistanit gjatë vitit 2017 (që nuk dha rezultate), si dhe takimin në 23 tetor 2019 në Soçi të Rusisë.

Në përfundim të takimit, Putin dhe Erdogan shpallën një marrëveshje armëpushimi në Sirinë veriore, e cila, ndër të tjera, formalizonte prezencën ushtarake turke në rajonin afër kufirit. Por, ashtu si ka ndodhur edhe me vendet e tjera, çdo marrëveshje që Rusia nënshkruan është e vlefshme për sa kohë ajo është në interesin e saj, përndryshe ajo e shkel. Ndërkohë që Turqia zbatonte marrëveshjen e arritur në Soçi, Moska duke i ngulur nje thike pas shpine Ankarasë, i jepte dritën jeshile në dhjetor ushtrisë së Bashar Al – Asad për te rimarrë rajonin e Idbil të kontrolluar nga forca besnike ndaj Turqisë dhe i vetmi që ka ngelur jashtë kontrollit të Damaskut.

Qëllimi është shumë i qartë, eliminimi i çdo lloj influence dhe faktorizimi të Turqisë në të ardhmen e Siris, destabilizimi i saj me anë të fluksit të madh të refugjatëve siriane si pasojë e bombardimeve në Idbil si dhe lirimin e ekstremistëve të ISIS dhe dërgimin e tyre në Turqi që të shkaktojnë një valë të re terrori. Objektivin për të defaktorizuar Ankaranë në Siri e shprehu qartë ambasadori rus në Turqi Alexey Yerhov, kur deklaroi në fillim të shkurtit për degën turke të platformës informative Sputnik, se ushtria siriane ka vendosur të rimarrë nën kontroll çdo cm tokë të territorit të vetë. Në të njëjtën linjë edhe ministria e jashtme ruse i rikujtoi Ankarasë se forcat e saj ushtarake ndodheshin në Siri pa miratimin e kësaj të fundit dhe se atop o e përkeqësonin situatën në Idbil akoma dhe më shumë.

Janë pikërisht këto deklarata që vënë në pah se si Rusia dhe Putin mashtruan Turqinë dhe Erdogan me marrëveshje dhe premtime boshe për ta ndarë nga aleatët e saj perëndimor duke e lënë në një gjendje të vështirë të vetme, duke ndjekur paradigmën e vjetër “përça dhe sundo”. Me trupat e saj luftarake nën bombardimin konstant nga ana e ushtrisë siriane të mbështetur nga rusët, zgjedhjet për Turqinë janë të limituara. Një përballje frontale me ushtrinë sirianë, duke rrezikuar konflikt me Rusinë ose tërheqje e plotë.

Një konstante gjeopolitike, që prej Perandorisë Osmane dhe deri te Turqia moderne, e të gjitha veprimeve të udhëheqësve turq ka qenë minimizimi i prezencës ruse në jug të ngushticës së Bosforit dhe daljes së saj në Mesdheun lindor dhe jugor. Është në këto rajone që dinamizmi i aktivitetit  rus është rritur në mënyrë eksponenciale, që prej Sirisë e duke vazhduar në Egjipt, Libi dhe Algjeri, kjo edhe për shkak të“shkeljes së syrit” nga ana e Turqisë.

Është e vështirë të parashikosh ecurinë e situatës në rajonin e Idbil dhe fatin e trupave turke që ndodhen atje por, një gjë është e sigurtë: për sa kohë Turqia nuk do të ndryshojë qëndrim në akomodimin e Rusisë dhe rivlerësimin e marrëdhënieve të saj me Moskën, turq dhe sirianë do vazhdojnë të vdesin ndërkohë që Kremlini korr frytet e politikës së saj.