Aktualitet Turqia “shpëton” Beratin e Gjirokastrën: Marrëveshje për të restauruar shtëpitë muze

Turqia “shpëton” Beratin e Gjirokastrën: Marrëveshje për të restauruar shtëpitë muze

Edhe pse qytete muze dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore në Berat dhe Gjirokastër janë duke u rrënuar si pasojë e mungesës së fondeve për t’i mirëmbajtur dhe restauruar.

Por shtëpitë karakteristike mund t’i shpëtojnë këtij rrënimi. Nga Gjirokastra kryeministri Edi Rama foli për një plan ambicioz.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Turqinë për të investuar në mënyrë të konsiderueshme tek objektet e trashëgimisë kulturore. Kemi rënë dakord për Beratin dhe Gjirokastrën. Jemi duke punuar planin e ndërhyrjes”, tha ai.

Brenda të njëjtit qark, në Kalanë e Ali Pashës në Tepelenë ku prej disa kohësh po punohet për t’i dhënë një tjetër pamje monumentit të kulturës, qeveria ka në plan ndërtimin e një muzeu.

“Ne jemi duke diskutuar çështjen e muzeut të Ali Pashës. A do të jetë aty apo diku tjetër atë nuk di ta them sepse nuk është vendosur. Por është e domosdoshme të ketë një muze të Ali Pashait në Tepelenë”, u shpreh kryeministri.

Rama foli edhe për projektin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në qytetin e Përmetit, ku ky qytet është zgjedhur për investime në turizëm dhe agrobiznes.