Kryesore Turqit “pushtojnë” Rozafën

Turqit “pushtojnë” Rozafën

Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi në mënyrën më të keqe fushatën kualifikuese për Europianin 2020 me një humbje 0-2 në shtëpi ndaj Turqisë që komplikon që në start, ëndrrën për të shkuar në fazën finale.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe krijuan disa mundësi të mira shënimi në pjesën e parë, kur fillimisht Balaj dhe më pas Balliu e Uzuni, e panë veten të vetëm me portierin, por nuk ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë.

Atë që nuk e bënë kuqezinjtë, e bënë mjaft mirë turqit, që në rastin e parë të tyre, shfrytëzuan maksimalisht një gabim të tanëve dhe kaluan në avantazh, me anë të sulmuesit Cenk Tosun.

Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë të tanëve, por në minutën e 55-të, ishte Hakan Calhanoglu, që depërtoi për shumë metra i pashqetësuar, duke shfrytëzuar maksimalisht një hutim të Hysajt dhe shënoi golin e dytë, pas një gjuajtje të bukur nga distanca.

Pas këtij goli, nuk mungoi as kontestimi i tifozërisë, të cilët hodhën sende të shumta në fushën e lojës, duke dhuruar një shfaqje të turpshme, që për më tepër u mbyll me një goditje ndaj portierit Etrit Berisha.

Nuk munguan as thirrjet fyese ndaj trajnerit Christian Panucci, me koralen “Panucci Vaffanculo”, ndërsa ky i fundit reagoi duke hedhur në fushë Armando Sadikun dhe Eros Grezdën, dy nga autorët e golave në fitoren e fundit ndaj turqve.

Megjithatë tentativat e tanëve ishin sporadike, me lojtarët e repartit të sulmit, që shpesh herë e tepronin me mbajtjen e topit, ndërsa thuajse asnjëherë nuk e vunë në provë portierin e përfaqësueses turke.

Vërshëllima finale e arbitrit gjerman, pa skuadrën e Turqisë që të festonte në “Loro Boriçi”, ndërsa kuqezinjtë treguan sërish se kanë shumë punë për të bërë në prapavijë, ku pësuan në të dy rastet e vetme të turqve.

Vetëm 3 ditë më vonë vjen transferta me Andorrën, një nga ato ndeshje që duhen fituar medoemos, ndaj gjëja më e vlefshme në këto momente, është të lëmë pas këtë humbje, për t’u përqendruar te takimi i ardhshëm.