Kryesore Tym i zi! Nuk ka marrëveshje për reformën zgjedhore

Tym i zi! Nuk ka marrëveshje për reformën zgjedhore

Këshilli Politik nuk ka arritur marrëveshje për reformën elektorale. Pas 4 orësh diskutime, palët nuk ranë dakord për propozimet që dhanë përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi për mediat se Partia Socialiste nuk jep kompromis për çështje të rëndësishme dhe nuk ofron garanci për zgjedhje të lira, sikurse është identifikimi biometrik i votuesve, kërkesë e hershme e opozitës.

“Partia Socialiste nuk ishte akoma e gatshme për të arritur konsensus për çështje të rëndësishme. Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarë. Ne kemi diskutuar së bashku në përpjekjet për të gjetur kompromis. PS nuk qe në gjendje që të hiqte dorë nga privilegje që janë privilegje të qeverisë mbi procesin zgjedhor, që është e papranueshme. Ju e keni parë ç’ka ndodhur vjet. Ne jemi të gatshëm për të arritur zgjidhje me kompromis por pa cënuar asnjë nga garancitë themelore. Le t’i japim kohë PS të kuptojë që KQZ nuk do të jetë ai institucion i turpshëm që është sot, që është pronë e saj. Jemi përpara një modeli të ri të KQZ, por nuk mund të jetë pronë e PS”, u shpreh Bylykbashi.

Megjithatë, edhe pse nuk ka një marrëveshje mes palëve në ditën e fundit të afatit, pritet që të ketë një tjetër takim mes palëve ditët në vijim.

Ndërsa deputetja Rudina Hajdari akuzoi si mazhorancën dhe opozitën se nuk janë të interesuar për të gjetur një konsensus, pavarësisht ndihmesës së ambasadës amerikane në këtë proces.

“Dhe këtë radhë partitë politike dështuan se interesat e tyre janë kaq të ngushta dhe nuk duan t’ia dinë për shqiptarët. Pse mendoni ju që vjen ambasada amerikane për të negociuar me këta njerëz? Vetëm se duan interesin e shqiptarëve. Dhe këta sot ja mbyllën derën edhe shqiptarëve dhe ambasadës amerikane. Edhe pse ambasada amerikane u investua për këtë reformë, këta nuk ranë dakord. Këta ranë dakord për të mos rënë dakord”.