Më herët gjatë ditës, është bërë viral një moment debati mes Rozanës dhe Gertës, banoreve të “Big Brother VIP Albania”.
Në video shfaqet Rozana që i thotë Gertës, për të disatën herë, se motra e saj Olta Gixhari, nuk e mbështet atë, madje dhe fitoren ia ka uruar Rozanës për këtë edicion.
Olta Gixhari, e cila nuk ka komentuar publikisht asnjë moment të “BBVA4”, shpjegoi në llogarinë e saj të Instagramit se arsyeja e vetme për këtë gjë ishte angazhimi i saj në “BBVK3”:
“Të dashur miq! Unë punoj në një “Big Brother” tjetër dhe kam një kontratë për të respektuar.”
Akuzave të Rozanës se motrat nuk ruajnë raporte të mira me njëra-tjetrën, apo aludimeve në internet të së njëjtës natyrë, Olta vendosi t’u jepte fund duke shkruar:
“Unë Gertën e mbështes çdo ditë dhe kështu do të jetë deri në fund të jetës tonë. Motrën time e dua më shumë se ju dhe nuk duroj dot të ma ‘prekë’ njeri.”
Deklaratën Olta vendosi ta mbyllte duke kërkuar mirëkuptim dhe durim nga të gjithë njerëzit.