Aktualitet U desh përdorimi i helikopterit që të kapej “mushka” shqiptare e drogës...

U desh përdorimi i helikopterit që të kapej “mushka” shqiptare e drogës Britani

Një shqiptar është dënuar me burg në Britaninë e Madhe pasi u arrestua për shpërndarje të lëndëve narkotike. Për arrestimin 27-vjeçarit E. Xhafa, u desh edhe përdorimi i një helikopteri, pasi i riu tentoi që të arratisej.

Xhafa la makinën dhe u përpoq që të ikte me vrap në një fushë pranë një autostrade. Mirëpo me futjen në punë të një helikopteri u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e të riut.

Në makinën e tij BMW, u gjetën dy kuti kartoni me më shumë se 15 kilogramë kanabis, 273 Paund dhe një listë me emra me shkrim dore.

“Mushka” që do të bënte shpërndarjen e drogës e konsiderojnë mediat britanike shqiptarin.

Pas arrestimit, Xhafa u dërgua në komisariat, por refuzoi që t’u përgjigjej pyetjeve të policisë, por tha vetëm se jetonte në Sheffield. Autoritetet mundën që të gjejnë adresën e shtëpisë së tij dhe brenda gjetën 56 rrënjë kanabis që po rriteshin.

Ai kishte ndërtuar një fabrikë dhe sistemin e kishte përshtatur në mënyrë të tillë që të kultivonte lëndën narkotike. I riu shqiptar u akuzua për posedim të drogës së klasit B me qëllim shpërndarjen dhe prodhimin e kanabisit.

Fillimisht i mohoi akuzat, por më vonë pranoi fajësinë. Avokati i tij mbrojtës tha se i riu kishte shkuar në Britani për një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Por ai e ka gjetur veten në momente të vështira me një organizatë kriminale.

Sipas avokatit, Xhafa ka tentuar që të largohet, por nuk është lejuar nga krerët e bandës të cilët kanë ushtruar presion, e kanë intimiduar dhe e kanë kontrolluar. Por kjo nuk mjaftoi që t’i ndryshonte mendjen gjykatësit i cili e dënoi shqiptarin me 28 muaj burg.