Bota U kërcënua me burg, Navalny do të rikthehet në Rusi

U kërcënua me burg, Navalny do të rikthehet në Rusi

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny bën me dije se më 17 janar do të kthehet në Rusi, pasi qëndroi për shumë muaj në Gjermani për t’u rikuperuar nga një helmim.

Navalny, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të presidentit Putin u dërgua në Gjermani në muajin gusht, pasi u helmua në një aeroport, në një akt që Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore e konsideruan një tentativë vrasje me një agjent nervor.

Ndonëse u akuzuan drejtpërdrejt për këtë ngjarje, autoritetet ruse mohuan të ishin të përfshira në incident.

“Nuk ka qenë asnjëherë një çështje nëse do të kthehesha apo jo, pasi nuk jam larguar asnjëherë. Përfundova në Gjermani me një kapsulë të terapisë intensive për vetëm një arsye; ata tentuan të më vrasin”, shkruan Navalny në Instagram.

Deklarata e Navalny vjen disa ditë pas kërcënimeve nga autoritetet ruse se nëse nuk kthehet në Rusi rrezikon të burgoset për shkelje të lirisë me kusht, një dënim të cilin ai e konsideron të motivuar politikisht.