Kryesore U plagos në Letoni, ndërron jetë edhe major Klodian Tanushi

U plagos në Letoni, ndërron jetë edhe major Klodian Tanushi

Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Major Klodian Tanushi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Tanushi ndërroi jetë mbrëmjen e sotme. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shkruan:

Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën.

Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!

Kush është Klodian Tanushi?

Major Tanushi ka lindur në Dibër më 31 tetor 1980. Është i martuar dhe babai i tre fëmijëve.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin Motorist Xhenerik. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake.

Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-rë “Për asgjësimin e municioneve me eksploziv”.

Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Avvareness Instructor Course”.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e Nëntogerit. Në vitin 2006 ka marrë gradën e Togerit, në vitin 2010 ka marrë gradën e Kapitenit dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e Majorit.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.

Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.