Aktualitet U rrëzua nga hoteli, procedohen administratori i Rogner dhe përgjegjësi i mirëmbajtjes

U rrëzua nga hoteli, procedohen administratori i Rogner dhe përgjegjësi i mirëmbajtjes

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë administratorin e hotel Rogner, R.S. 49 vjeç dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes, R.H. 38 vjeç pas ngjarjes së rëndë dy ditëve më parë.

Një 28-vjeçar shqiptar nga Maqedonia e Veriut u rrëzua nga kati i 5 i Rogner pasi kangjellat e ballkonit ku ishte mbështetur u shkëputën. Ajdin Mustafi pësoi dëmtime të shumta si pasojë e rënies nga lartësia dhe ndërroi jetë në spital.

Administratori i hotelit dhe përgjegjësi i mirëmbajtjes akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Ajdin Mustafi kishte dy ditë që kishte ardhur nga Zvicra. Ai kishte edhe shtetësi zvicerane dhe punonte në një kompani transporti me seli në Kosovë. 28-vjeçari ishte i martuar dhe ka lënë pas 2 fëmijë të mitur.