Politika U vlerësua me çmim në Britani, Meta pret shkencëtaren e re shqiptare:...

U vlerësua me çmim në Britani, Meta pret shkencëtaren e re shqiptare: Frymëzim për të rinjtë

E mbani mend shqiptaren nga Kukësi Arta Çika, e cila disa muaj më parë u vlerësua me një çmim të rëndësishëm në fushën e teknologjisë?

Presidenti Ilir Meta e ka pritur shkencëtaren e re shqiptare në një takim ndërsa e konsideron atë një frymëzim për të rinjtë.

“I lumtur të takoja Arta Çikën, një shkencëtare të re dhe fituese të çmimit “TechWomen100” për vitin 2019 në Mbretërinë e Bashkuar, e cila këtë vlerësim ja ka dedikuar Shqipërisë, ku dhe mori dijet e para.

Frymëzues mesazhi i saj drejtuar të gjithë të rinjve e të rejave shqiptare për të ëndërruar fort dhe për të mos u ndalur në përpjekjet për t’i realizuar ato në Atdheun tonë të dashur”, shkruan Meta.

Arta Çika me origjinë nga Kukësi, ka arritur të zgjidhet si një nga fitueset e çmimit “TechWomen100” për vitin 2019  në Mbretërinë e Bashkuar (kliko këtu për listën e fituesve). Çmimin e saj ajo ua dedikoi të gjithë shqiptarëve, e në veçanti atyre që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Arta studion në Departamentin e Shkencës së Inxhinierisë, në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 2015, ajo u diplomua në Komunikim dhe Inxhinieri Kompjuterike në Torino. Çika është gjithashtu fituese e Bursave IRCN dhënë nga Universiteti i Tokios.