Aktualitet Udhëkryqi i reformës në drejtësi, ekspertët të shqetësuar për vonesat në zbatim

Udhëkryqi i reformës në drejtësi, ekspertët të shqetësuar për vonesat në zbatim

Një tryezë ekspertësh të nivelit të lartë, e mbledhur në Tiranë për të diskutuar ecurinë e reformës në drejtësi reflektoi shqetësimet mbi ngecjen në udhëkryq të procesit dhe jehonën e zhvillimeve paralele në Parlamentin e Shqipërisë, ku mazhoranca votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në takimin e organizuar të mërkurën në hotel “Rogner” nga Instituti i Studimeve Politike dhe fondacioni Konrad Adenauer, autorë të reformës dhe monitorues të saj e vunë theksin te mospërmbushja e afateve apo te zbehja e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë proces.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi deklaroi se afatet për ngritjen e institucioneve të reja nuk po zbatohen, ndërkohë që sipas tij kjo zvarritje ka sjellë probleme në funksionimin e institucioneve.

“Shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve po rregullojnë dosjet dhe po presin çdo të ndodhë me karrierën e tyre,” tha Krasniqi.

Rainer Deville, ish-shefi i misionit EURALIUS të Bashkimit Europian dhe një nga arkitektët e ndryshimeve kushtetuese ndau të njëjtin shqetësim për afatet dhe vërejti një humbje të vëmendjes dhe të frymës për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Progresi gjatë vitit 2017 nuk ka qenë aq bindës sa ç’ishte në vitin 2016. Vëmendja ka humbur, tema të tjera kanë zënë vemendjen e opinionin publik në 2017,” tha Deville, ndërsa theksoi se çdo ligj do të ishte i parëndësishëm nëse nuk zbatohet.

Duke e konsideruar rolin e ndërkombëtarëve si vëzhgues dhe pa forcë vendimarrëse në proces, Deville ftoi shqiptarët që ta marrin në dorë zbatimin e reformës dhe të bëjnë të mundur ndërtimin e drejtësisë së pavarur për shqiptarët.

“Duhet të gjendet përsëri një marrëveshje mes shqiptarëve për të përcaktuar se kush do të jetë motori i kësaj reforme. Motori mungon,” shtoi ish-shefi i Euralius, i cili mori pjesë në këtë tryezë në rolin e ekspertit.

Ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi u miratuan në korrik të vitit 2016, por ngritja e institucioneve kyç të vettingut u realizua një vit më pas për shkak të përplasjeve të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.  Vonesat në ngritjen e tre institucioneve të vettingut kanë mbajtur pezull gjithashtu krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të njësive speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe disa institucione të tjera të reja.

Starti i tre institucioneve të vettingut u bë sërish objekt debatesh në fund të shtatorit, ku mazhoranca reduktoi numrin e stafeve mbështetëse dhe rrëzoi një kërkesë të parë për pagesa të diferencuara.

Ish-shefi i EURALIUS, Deville kujtoi të martën se debati për pagesat u bë problem edhe gjatë fazës së hartimit të ligjeve, ndërsa shtoi se kjo reformë komplekse ka kosto, e cila sipas tij nuk është e parealizueshme për Shqipërinë.

“Propozuam në atë kohë që të ishte një pagesë tre herë më e lartë se rroga e kryeministrit. Por u përballëm me reagime: O zot, po ç’janë këto pagesa të larta në një vend si Shqipëria dhe kjo u reduktua. Por pyetja shtrohet: A do të jenë në gjendje këta njerëz që të refuzojnë oferta të llojit 100 mijë euro apo 80 mijë euro?,” kujtoi Deville.

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha, i cili punoi për hartimin e paketës së ligjeve të reformës në drejtësi bëri një paralelizëm të këtij procesi me reformën penale të viteve ’90, ndërsa shprehu keqardhjen që të dyja këto reforma të rëndësishme u përballën me dyshime.

Hoxha preferoi të mos fliste për politikën, për të cilën tha se “ia kishte sjellë në majë të hundës” përgjatë dy viteve e gjysmë të punës me reformën, por për goditjen e reformës edhe nga profesionistët.

Për të ilustruar situatën e krijuar në sistem, Hoxha përmendi trajnimet e bëra me gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë për ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Ndonëse ky ligj ka hyrë në fuqi që në gusht, Hoxha theksoi se njerëzit e drejtësisë kanë ende njohuri minimale.

“Kemi mbetur në një pikë impasi dhe presim ende nga politika, kur politika e mbylli ciklin e saj me reformën duke i miratuar ligjet, ca me konsensus dhe ca pa konsensus. Strukturat e ndërtuara nga legjislacioni duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për zbatimin e saj,” tha Hoxha.

Ndryshe nga pjesmarrësit në panel, kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj e përshkroi me nota më optimiste misionin e institucionit që drejton dhe shanset e tij për sukses. Ajo pohoi gjithashtu se beteja do të jetë e vështirë dhe se janë koshientë që do të përballen me sulme apo përbaltje gjatë këtij rrugëtimi.

Dua t’u garantoj se Kolegji i Apelimit do ta çojë deri në fund këtë proces. Askush nuk do të na ndalë në misionin tonë. Sa të jem unë në krye të Kolegjit të Apelimit, ju garantoj që ky proces do të ecë. Nuk ka kthim mbrapa,” përfundoi Mulaj.