Aktualitet Udhëtimet ndërkombëtare, cila vaksinë anti-covid është më e pranuar gjerësisht?

Udhëtimet ndërkombëtare, cila vaksinë anti-covid është më e pranuar gjerësisht?

Ndoshta testi më i mirë për botën post-pandemike do të jetë se sa është në gjendje të rikthejë fluturimet ndërkombëtare.

Në vitin 2020 turizmi global pësoi vitin e tij më të keq të regjistruar ndonjëherë, fluturimet ndërkombëtare ranë me 74 për qind krahasuar me vitin 2019, në vetëm 380 milionë. Në muajt e fundit udhëtimi ndërkombëtar ka filluar të rimëkëmbet.

Me 3.7 miliardë doza vaksine të administruara në të gjithë botën, shumë njerëz po përpiqen të paketojnë bagazhet për të vizituar një vend të huaj.

Por jo çdo antitrup i fituar nga vaksina automatikisht ju lejon të dilni jashtë shtetit.

Shumë qeveri janë duke mirëpritur vetëm turistë të vaksinuar me vaksina të caktuara.

Këtë muaj Bashkimi Europian tha se nuk do të pranonte vizitorët të cilët ishin vaksinuar me Covishield, edhe pse është identike me vaksinën AstraZeneca e cila përdoret në BE – sepse nuk është miratuar nga rregullatori europian i barnave (EMA).

Qeveria e Indisë, ku prodhohet vaksina, kërcënoi të hakmerret. Politika mund të prekë gjithashtu marrësit e Covishield në vende të tjera të botës: 5 milion doza janë dorëzuar në Britani.

Të dhënat nga VisaGuide.World, një uebfaqe udhëtimesh, tregojnë se me cilën lloj vaksine mund të lejohet udhëtimi jashtë kufijve.

Vaksina AstraZeneca është më e pranuara gjerësisht, me 119 shtete që e njohin atë, është vaksina më e përdorur dhe një ndër vaksinat e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (së bashku me Pfizer-BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe dy vaksina kineze).

Në të kundërt, CanSinoBio e Kinës njihet nga vetëm një numër i kufizuar shtetesh.

Problemi nuk ndalet me udhëtimet. Megjithëse Amerika nuk kërkon prova të vaksinimit për udhëtime përtej kufijve të saj (ato mbeten të mbyllura, megjithatë, për britanikët, europianët, kinezët dhe indianët, mes disa shteteve të tjera).

Kanadezët që kanë marrë vaksinën AstraZeneca janë të shqetësuar se do të ndalohen nga vendet e argëtimit që kërkojnë vaksina të miratuara nga FDA për hyrje. Amerika ka porositur 300 milion doza të vaksinës AstraZeneca por ende nuk e ka miratuar atë.

Industria e udhëtimeve shqetësohet se kufizime të tilla do t’i mbajnë njerëzit në shtëpi.

Mariangela Simao, një përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se Parlamenti Europian ka rekomanduar që vendet të konsiderojnë pranimin e vaksinave që janë miratuar për përdorim emergjent nga OBSH.

Mbi dhjetra vende europiane kanë thënë më herët se ata do të injorojnë rregullat e BE-së dhe do të pranojnë vaksinën Covishield si provë e imunitetit.

Por nuk ka gjasa të jenë kaq të lehta për vaksinat kineze. Megjithëse vaksinave kineze iu është dhënë një autorizim emergjent nga OBSH, ka mungesë të dhënash për këto doza që mund të shqetësojnë disa vende.

Dymbëdhjetë milion turistë kinezë vizituan BE-në në vitin 2019.

Gjatë vitit të ardhshëm me shumë mundësi disa vaksina do të luftojnë për t’u njohur ndërkombëtarisht.

Vaksinat që aktualisht nuk ka gjasa të marrin një aprovim për udhëtimet ndërkombëtare janë: vaksina ruse Sputnik V, Covaxin e Indisë dhe vaksina Abdala e Kubës.

Për udhëtarët dhe industrinë turistike njësoj si viti i shkuar, 2021 ka të ngjarë të mbahet mend si vit i dështuar për shkak të Covid-19 dhe burokracive kufitare.