Kryesore Udhëzime nga Uashingtoni per takimin e Kretës

Udhëzime nga Uashingtoni per takimin e Kretës

Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias do të nisin të enjten takimin disaditor në Kretë, për të zgjidhur çështje të klasifikuara si të “vështira” mes dy vendeve. Takimin e konfirmoi për gazetën lokale Flash News.gr kryetari i bashkisë se Spithas ku do të mbahet takimi, Ioanis Stefanakis.

“Ne kemi qenë të informuar për vizitën e dy ministrave dhe presim për të finalizuar programin”-tha ai. Ndërsa sekretari për grekët e Diasporës, Dimitris Plevrakis duke folur për folur për gazetën “Nea Kreta” deklaroi se përmbajtja e diskutimeve dhe orari i saktë do të bëhen publik të martën dhe se axhenda synon të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, tani dhe në të ardhmen.

Jo rastësisht është zgjedhur Kreta për këtë takimi bilateral . “Ne duam që ishulli të dalë në pah si pikë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”-tha Plevrakis  duke  kujtuar takimin e mbajtur në Elounda mes ministrit Kotzias dhe homologut të tij turk, Cavusoglu.

“Ne besojmë se Greqia mund të jetë spirancë e stabilitetit për të gjithë rajonin e Ballkanit dhe Mesdheun Lindor. Dhe në këtë drejtim ne zgjodhëm Kretën. Dhe kjo është një përpjekje që do të na orientojë më shumë për të ardhmen në mënyrë që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet. Përveç kësaj, ky është mesazhi pas udhëtimit (nënkuptohet kryeministri Cipras) në Amerikë, që  Greqia të jetë pol i stabilitetit dhe sigurisë në rajon “.

Duke iu referuar këtyre takimeve bilaterale, Dimitris Plevrakis shton:

Dialogu i ndihmon dhe ne besojmë dhe shpresojmë se do të ketë rezultate shumë pozitive për të dyja vendet. Ana greke ka ndërmarrë tashmë shumë nisma. Në këtë kontekst, ky takim do të jetë një vazhdim i nismës së ndërmarrë nga qeveria greke për Ballkanin, kur u zhvillua konferenca katër palëshe në Selanik. Kohët e fundit, me pjesëmarrjen e shteteve të tjera, rajoni i Ballkanit është stabilizuar. Ne besojmë përfundimisht, se rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Greqia

Për agjendën e takimit, Plevrakis sqaroi se do të negociojë me hollësi çështjet që do të diskutohen, për të cilat do flitet menjëherë pas takimit.

Nga pala shqiptare nuk janë dhënë detaje, por ngujimi për disa ditë në Kretë i dy ministrave forcon bindjen se të dyja palët duan të arrijnë një marrëveshje. Tirana për të marrë miratimin për çështjen e hapjes së negociatave dhe Greqia dakordësinë për marrëveshjen e detit, e cila mund të rishikohet me ndryshime te vogla. Kësaj qasje duket se i përshtatet edhe retorika e zbutur e ministrit Kotzias për cëcshtjen e Himarës, duke thënë se Athina nuk ndërhyn në çështjet e urbanizimit të brendshëm, por kërkohet vetëm respektimi i të drejtave të pronësisë. /Respublica

http://flashnews.gr/post/331407/synanthsh-anwteroy-politikoy-epipedoy-st…