Bota Ukrainë, një aktor humori garon për president dhe është i pari në...

Ukrainë, një aktor humori garon për president dhe është i pari në sondazhe

Aktori i humorit Volodymyr Zelenskiy po arrin majat në Ukrainë, e jo vetëm në aspektin e karrierës. 41-vjeçari, protagonist në garën presidenciale të parashikuar për më 31 mars, është në fakt i pari në sondazhet e opinionit publik, pavarësisht se nuk ka mbi shpinë asnjë eksperiencë politike.

“Kjo është një fytyrë e re. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e politikës, vij nga punë të pastra, televizioni dhe kinemaja. Mendoj se njerëzit më njohin shumë mirë dhe mund të identifikohen me mua”, thotë ai.

Për momentin, sipas një sondazhi të fundit, Zelenskiy mund të shkojë pa probleme në balotazh, duke lënë pas edhe sfidantët kryesorë, presidentin në largim Petro Poroshenko dhe ish-kryeministren Yulia Timoshenko, me mundësi të mëdha për t’ia dalë mbanë edhe në fazën përfundimtare, që mund të mbahet më 21 prill.

E si për ironi të fatit, në një serial televiziv ukrainas, Zelenskiy interpreton pikërisht një president të ndershëm, që lë pas sa i takon zgjuarsisë, kundërshtarë dhe kritikë.